Letër rektorit të UP-së, “profesorët nuk dinë të shkruajnë emrin e vet”

Prishtinë | 01 Tet 2016 | 09:18 | Nga Afrore Shehu - Lila

I nderuar Rektor,

Sot, nuk po ju shkruaj as për rezultatet, as për pikat e dobëta gjatë qeverisjes suaj. E di që një pjesë e tyre janë të trashëguara, disa të tjera të lëna në duart e atyre që kurrë nuk ia deshën të mirën arsimit dhe edukimit cilësor në Kosovë.

Megjithatë, loja me fatin e njerëzve që tërë jetën synojnë dhe punojnë për të lënë gjurmë në jetën akademike, është fatkeqësia më e madhe. Aq më tepër, në dorë të atyre, të cilët brenda një kohe të shkurtër u stolisën me pupla të huaja, morën grada shkencore e akademike, u avancuan pa meritë, pa dije themelore, deri në pozitat më të larta, deri aty sa edhe të vendosin se kush do të bëjë doktoraturë dhe kush jo?!

Fjala është për Fakultetin e Edukimit, për të cilin jo një herë është përfolur për skandale, keqmenaxhim, përfshirje në insinuata të pakëndshme, papërgjegjësi profesionale deri në atë masë saqë, ndonjëri syresh, profesor me “renome”, pjesë edhe e Komisionit Vlerësues, nuk di të shkruajë si duhet as emrin e kursit të vet, e lëre më të vlerësojë, t’ua presë ëndrrën për një edukim, ngritje dhe zhvillim profesional atyre që me mund e dije duan të bëjnë ndryshime, atyre që shkencën e bëjnë shkencë dhe gradat i arsyetojnë me performancën e tyre, tash e përgjithmonë.

Ky është kulmi i hipokrizisë, triumfi i diletantizmit dhe deprimimit nga e drejta për t’u bërë pjesë e studimeve doktorale, në mënyrën se si është bërë organizmi i konkursit pranues dhe se si është proceduar gjatë testit dhe më pas, gjatë intervistës.

Fillimisht barazohen me ne, shumë nga ata të cilët pa asnjë mund dhe sakrificë, kanë shfrytëzuar kaosin e madh që ka kaluar viteve të fundit universiteti ynë, duke marrë nota të larta, përderisa ne, në situatën më të vështirë (vitet ’90-të),  vlerësimi ishte i palëkundur, atëherë kur të kishe një mesatare mbi 8 (tetë), do të duhej të ishe i rregullt (ndryshe do të injohoreshe me flagrancë nga profesorët), do të duhej sakrificë dyfishe, aq më tepër kur kihet parasysh si shembulli im, që nuk kisha kushte as rrethana të mjaftueshme për shkollim, isha studente dhe nënë njëkohësisht, mbi të gjitha nga një familje e përndjekur politikisht.

T’i shkojmë radhazi:

  1. Konkursi ishte i padrejtë, sepse afati nuk ishte 15 ditë ashtu siç e parasheh ligji, por vetëm një javë.
  1. Konkursi ishte i padrejtë, sepse ka pasur shumë dokumente të pranuara pas afatit, (si vajza e prof. Mazllum Kumnovës, mik i dekanit).
  1. Konkursi ishte i padrejtë, sepse e ndalonte brezin tim dhe mua konkretisht, që para lufte me sakrificë të madhe kam përfunduar studimet themelore, atëherë kur vetëm nota kaluese, nuk krahasohet më vlerësimet më të larta që bëhen sot në Fakultetin e Edukimit.
  1. Konkursi ishte i padrejtë, sepse nuk u mor parasysh vlerësimi dhe të arriturat gjatë jetës, publikimet, pjesëmarrjet në konferenca, rezultatet në studimet pasuniversitare; për më tepër nuk u shikua, nuk u vlerësua dhe mbase as nuk u lexua propozim-projekti im, të cilën nuk dyshoj që vështirë e kanë ta kuptojnë anëtarët e komisionit.
  1. Konkursi ishte i padrejtë, sepse përjashtonte ata që kanë “background” të fortë në fushën e edukimit, që kanë cv të pasur, që tërë kohën janë pjesë e proceseve të ndryshimit të cilësisë së arsimit në Kosovë.
  1. Konkursi ishte përjashtues dhe i padrejtë ndaj atyre që njihnin mirë gjuhët e huaja, si një kriter bazë për të mbajtur gradën shkencore dhe që garanton hulumtime të rëndësishme në të ardhmen.

Fundja, matës i vlerësisë është edhe vetë puna ime sistematike në fushën e edukimit. Nuk dua ta anashkaloj faktin se jam e vetmja studente prej se ekziston niveli master në Edukim që kam notën mesatare 10.00. A s’është ky një tregues që sot, në shekullin e Dijes, individi zhvillohet, përparon duke pasur moto të nxënit gjatë gjithë jetës dhe jo si një pjesë e stafit të fakultetit në fjalë, që akoma kanë mbetur me mendësinë e iluminimit romantik, improvizantë të këqij që po marrin në qafë breza të tërë nxënësish me mësimdhënës e edukatorë të cilët i “prodhon” ky fakultet. E, autorja e këtyre radhëve jo një herë është bërë mentore dhe udhëzuese në praktikën e mësimdhënies sipas metodologjive të reja bashkëkohore, duke ua parë produktin që kanë nxjerrë “akademikët e Edukimit”. Për këtë kam dhjetëra fakte, të cilat janë kokëforta dhe nuk lënë që analfabetët funksionalë t’i përdhosin vlerat e askujt.

Mbi të gjitha, hiç të tjerat, vetëm profesorët e mi në FED, mirëfilli e dinë se gjatë studimeve të masterit,  përherë kam qenë udhëheqëse e grupeve të punës, kam  shkruar punimet, seminaret dhe kam realizuar prezantimet e kërkimeve për të cilat ishim të obliguar t’i bënim.
Po ashtu, edhe si drejtuese e një institucioni arsimor dhe kryefacilituese e dhjetra programeve të trajnimit kam udhëhequr qindra mësimdhënës e drejtorë në trajnimet e vazhdueshme të hulumtimit në veprim me raporte hulumtuese.

Njëkohësisht, kam provuar dhe ia kam dal me sukses të lartë  që t’i  aplikoj strategjitë më të reja të arsimit, si: vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, mësimi i nivelizuar i gjuhëve të huaja, mësimi i bazuar në projekte, disenjimi i kurseve të veçanta me bazë në shkollë – qasje konstruktiviste këto të cilat për arsimin në Kosovë si parauniversitar ashtu edhe atë universitar mbesin akoma ëndërr e parealizuar.

Të gjitha këto procese i kam jetësuar në vendin tim të punës dhe në komunikim me shumë mësimdhënës nëpër shkollat e Kosovës, ndaj kurdoherë jam e gatshme ta dëshmoj në të gjitha format që më kërkohet.

Prandaj, është shumë e drejtë që një kandidate si unë të kërkoj përgjegjësi e llogaridhënie, së pari nga Ju i nderuar Rektor:

  1. Si është e mundur një staf që e cilëson veten si “akademik” dhe të zotë për ngritjen e cilësisë, nuk i beson vlerësimit që më kanë bërë në master?
  1. Meqë u zgjodhën “më të mirët” për ta vazhduar testin dhe intervistën, cilat janë dhe ku janë publikuar rezultatet e testit? Pse janë të pashpallura?
  1. Si janë trajtuar/ vlerësuar punimet në gjuhën angleze dhe cili ishte niveli i njohjes së kësaj gjuhe? Ku janë pikët?
  1. Si u intervistuan kandidatët? Çfarë u kërkua të “dinin” ata?
  1. Si është e mundur që të testohet kandidati dhe të intervistohet e të mos e dijë sa pikë ka fituar?

Këto duan një përgjigje të hapur. Ndryshe kjo mbyllje, është mbyllje me dry e të drejtës për zhvillim akademik e profesional dhe besa edhe vepër penale, që meriton të ndiqet ligjërisht.

Kësisoj, institucioni që nuk i beson vetes dhe punës së vet më shumë se sa punës së të tjerëve, flet se sa shumë këta profesorë e udhëheqës universiteti janë anemikë dhe të dyshimtë në “dijen” e vet që e kanë, ngase faktet tregojnë që kanë prodhuar mësimdhënës të pa përgatitur profesionalisht, me të cilët secilit drejtues institucioni arsimor i duhet më shumë se vazhdueshëm mentorim individual për ta përgatitur për punën në klasë.

Ato fakte i kemi të gjitha dhe do të më shërbejnë shumë në hulumtimin e radhës për të studiuar pasojat e injorancës në përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm si edhe pasojat në të nxënit e nxënësve në mësimin e drejtë të gjuhës amtare e të matematikës. Mbase, kësisoj mund t’ju ndihmojmë edhe juve të analizoni se çfarë duhet të mësoni së pari JU që i mësoni të tjerët, e pastaj t’ju mësojmë se si vlerësohet studenti.

Mësohuni t’i trajtoni njerëzit si individë më vete, pa ua mveshë etiketimet që nuk i meritojnë dhe pa gjykuar kush mund të ishin ata tri dekada më parë. Përndryshe do të ju gjykojnë breza nxënësish e studentësh për mungesë njohurish, shkathtësish e shprehish reale të këtij shekulli sa herë që do të përballen me shokët e tyre nëpër botë.

Afrore Shehu – Lila, MA

Kandidate e skualifikuar para testimit

Shtojca:

Shembuj nga konkurset për mësues klasash, të diplomuar nga fakulteti i Edukimit. Brezi i mësimdhënësve që pritet të edukojnë e arsimojnë qytetarë inteligjentë për Shoqërinë e Dijes. Të tillë shembuj të studentëve me mesatare të larta kjo shkollë disponon me dhjetra.

dokument

Kërkesa rreth kompetencave  e rezultateve të të nxënit në Kornizën e Kurrikulës së Kosovës: mësuese me përvojë e cila diplomoi në fakuletin e Edukimit me mesatare të lartë kohët e fundit.

dokument1 dokument2 dokument3

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme