Pas vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, për ta shkarkuar Prorektoren Teuta Pustina – Krasniqi, kjo e fundi ka dal me një reagim, në të cilin shkruan se nuk ka pranuar dorëheqjen sic dhe iu ishte kërkuar nga përfaqësues të Parlamentit Studentor.
Për shkak të këtyre rrethanave, Pustina-Krasniqi ka thënë se deklarata e saj ishte keqinterpretuar dhe keqkuptuar.
”Për më shumë ja letra e saj e plotë:
Të nderuar zonja e zotërinj, studente e studentë,
Duke marrë parasysh reagimet të cilat u bënë pas deklaratës sime, më lejoni që edhe njëherë të theksoj se vetë qëndrimi im që “Nuk mund të ketë asnjë arsye të vetme në botë e cila jep të drejtë për ngacmim seksual”, tregon qartë se për mua është e pajustifikueshme, dhe gjithsesi e ndëshkueshme edhe tendenca më e vogël për ngacmim seksual.
Megjithëkëtë, duke qenë vetë nënë e grua, dua të shpreh keqardhje dhe të kërkoj ndjesë për keqkuptimin edhe më të vogël të mundshëm që ka mundur të ngjallë deklarata ime. Ajo deklaratë mund të ketë qenë e keqinterpretuar, e thënë në mënyrë jo të qartë për t’i ndarë dy çështje të caktuara, por asnjëherë me qëllim të arsyetimit të ngacmimeve seksuale.
Kundër këtij fenomeni të egër e çnjerëzor do të luftoj me të gjitha forcat e mia, kudo që të jem dhe në çdo kohë.
Vetë arritjet e mia akademike, pos tjerash, janë tregues edhe për kujdesin dhe rëndësinë që i është dhënë femrës në familjen ku kam lindur. Ky njëherësh është edhe misioni im, lufta dhe largimi i të gjitha barrierave, në mënyrë që femra të jetë e trajtuar denjësisht, pa pasur mundësinë që dikush t’ia cenojë liritë dhe mundësitë e saj. Angazhimi im për të drejtën gjinore dhe kundër abuzimeve mbetet i palëkundur.