Lufta kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 ka unifikuar dhe rritur bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtin dokument, nënshkrimet i kanë vënë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, i njohur për fushatën e tij kundër shtetësisë të Kosovës.
Madje në dokument përmendet bashkëpunimi ndër rajonal në luftimin e pandemisë. Letra e përbashkët, këtë herë ka pasur për qëllim lobimin te Bashkimi Evropian për lehtësimin e procedurave për tregti. Komisioni Evropian (KE) i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për heqjen e disa kufizimeve që aplikohen në raport me vendet joanëtare, për pajisjet që kanë të bëjnë në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Nëpërmjet një letre dërguar zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, gjashtë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit kanë kërkuar të mos aplikohen disa masa për transportin e mallrave. Aty përmendet edhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve të rajonit në luftimin e pandemisë.
“Suksesi në mposhtjen e virusit kudo është sukses për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne po bashkëpunojmë për këtë edhe brenda rajonit tonë. Punonjës të shëndetit kudo janë në pararojë të kësaj lufte. Për t’i ndihmuar ata, qeveritë tona po punojnë në dy drejtime. Së pari, të rrisim prodhimin e pajisjeve mjekësore mbrojtëse në gjithë rajonin. Dhe së dyti, të blejmë pajisje mbrojtëse mjekësore jashtë”, thuhet në letrën që mban datën 7 prill, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”.
Në emër të Kosovës, mbi këtë dokument firmën e ka vënë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Shtetet e tjera nënshkruese janë: Shqipëria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi.
“Në përpjekjen tonë për të rritur prodhimin e pajisjeve mjekësore mbrojtëse, marrëveshja midis Komisionit Evropian dhe Organizatave Evropiane të Standardizimit më 20 mars 2020 ishte e dobishme, ku të gjitha standardet përkatëse të harmonizuara evropiane u vunë lirshëm në dispozicion të të gjitha kompanive të interesuara. Kompanitë tona janë duke punuar shumë dhe kemi parë rezultatet e para. Megjithëkëtë, ndërsa ne përpiqemi t’i blejmë pajisjet mbrojtëse, vendimi i Komisionit Evropian për ta bërë eksportin e këtyre mallrave subjekt të autorizimeve të eksportit, e ka vështirësuar detyrën tonë”.