Lëvizja FOL fiton rastin gjyqësor për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe interesit publik

Prishtinë | 01 Sht 2026 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e ngritur ndaj Lëvizjes FOL, duke konfirmuar se deklaratat e organizatës lidhur me interesin publik dhe llogaridhënien e zyrtarëve bien në kuadër të lirisë së shprehjes dhe debatit publik.

Në aktgjykimin e datës 21.07.2026 (C.nr.581/15), gjyqtarja Shpresa Veselaj vlerësoi se rasti është në përputhje me praktikën e GJEDNJ (Lingens kundër Austrisë), sipas së cilës liria e shprehjes mbron edhe deklaratat kritike dhe shqetësuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona dhe funksione publike.

Gjykata theksoi:

“…është refuzuar, pikërisht për arsye se mediat, e madje edhe e paditura në kuadër të Shoqërisë civile – përkatësisht ‘Lëvizja Fol’, gëzon një shkallë të lartë mbrojtjeje kur veprojnë në kuadër të debatit publik si mund të jetë edhe rasti konkret.”

Ky vendim është një fitore e rëndësishme jo vetëm për Lëvizjen FOL, por për të gjithë organizatat e shoqërisë civile dhe median që punojnë në mbrojtje të transparencës, llogaridhënies dhe interesit publik.

Falënderojmë avokatin Admir Salihu, i cili pro bono ka përfaqësuar Lëvizjen FOL në gjykatë, për angazhimin dhe përkushtimin e tij në mbrojtje të lirisë së shprehjes!

Do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtën për t’u shprehur lirshëm në funksion të interesit publik!

Të ngjashme