Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e Sadri Ramabajës

Prishtinë | 27 Gus 2018 | 16:37 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka kërkuar lirimin e asamblistit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sadri Ramabaja i cili po mbahet në paraburgim për të cilin ishte ngritur një aktakuzë. LVV paraburgimin e tij e konsideron të padrejtë, ku sipas tyre Ramabaja po mbahet në paraburgim pa fakte dhe prova por vetëm me supozime dhe trillime.

“Pikërisht se nuk ka prova ndaj Sadri Ramabajës, paraburgimi i tij po zgjatet duke zëvendësuar dënimin. Mbajtja e Sadri Ramabajës në paraburgim duhet të marrë fund. Ai ishte asamblist i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe është ligjërues fakulteti. Burgimi i padrejtë e ndan nga aktiviteti, ligjëratat dhe studentët e tij”, shkruan LVV në komunikatë.

“Sadri Ramabaja që në fillimet e veprimtarisë së tij ka shkruar gjithnjë duke pasur për qëllim atdhedashurinë. Puna e tij reflekton angazhim të pastër për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Për të njëjtat bindje që u arrestua dekada më parë nga regjimi serb, e me të njëjtat akuza të rrejshme, ai po mbahet i arrestuar edhe sot, por këtë herë nga shteti për të cilin ai veproi gjithë jetën”, shkruhet më tej.

LVV në komunikatë thotë se duhet të ndalen arrestimet dhe mbajtjet e padrejta nëpër burgje të Kosovës, arrestime me prapavijë politike. Nuk duhen përsëritur veprimet e regjimeve të mëhershme, por duhen mbrojtur interesat e qytetarit, e të lartësohen mundi dhe veprimtaria e gjeneratës së Ukshin Hotit.

“Gjyqësia e kontrolluar nga politika, ku kryeprokurori i përgjithshëm diskuton jozyrtarisht aktakuzën me Kryetarin e Kuvendit, e Kryeministri i përcakton afate për hetime dhe obligon prokurorin që të dorëzoj raport në Qeveri, ndërsa politikanë të akuzuar për krim të organizuar në rastin “Toka” lirohen, nuk është gjyqësi e pavarur por gjueti ndaj të pafajshmëve e oponetëve, kurse mundësi për të korruptuarit e kriminelet me lidhje në pushtet”.

“Andaj, kërkojmë lirimin nga mbajtja peng padrejtësisht të veprimtarit dhe profesorit Sadri Ramabaja nga një sistem i kapur nga pushteti e i diskretituar tashmë edhe nga brenda”, përfunon komunikata.

 

Të ngjashme