Karim Benzema mund të jetë një nga emrat më të bujshëm të futbollistëve të lirë në treg. Sulmuesi francez, 38-vjeçar, është pa klub pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Al-Hilal dhe interesimi për të nuk mungon.
Sipas gazetarit Ben Jacobs, Benzema mund të marrë oferta nga klubet angleze, përfshirë skuadra të Premier League, pasi klubet mund të transferojnë futbollistë që janë pa kontratë.
Francezi u largua nga Al-Hilal pas vetëm disa muajsh, duke realizuar 10 gola në 16 paraqitje. Për të interesim ka shfaqur edhe Al-Shabab, ndërsa situatën e tij po e monitorojnë disa klube turke.
“Nuk do të habitesha nëse do të vinin oferta nga Anglia”, ka deklaruar Jacobs.
Një transferim në Premier League do të ishte interesant për Benzeman, pasi ai nuk ka luajtur asnjëherë në Angli. Gjatë karrierës, emri i tij është lidhur me klube si Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham.
Me 484 gola në 895 ndeshje në nivel klubesh, Benzema mbetet një nga futbollistët më të njohur aktualisht pa kontratë.