Bisedë me specialistin e komunikimit, Arlind Cara, për librin “Manifest për lumturinë” të shkrimtarit italian, Stefano Bartolini.
Si e trajton autori raportin mes të pasurit dhe lumturisë, çështjet ekonomike, kapitalizmi e lidhjet shpirtërore?
I parë si një prej librave më të mirëpërkthyer në Shqipëri për çështjen e tranzicionit, kalimi nga komunizmi në pluralizmin politik, autori vë theksin tek marrëdhëniet shoqërore.
“Një shoqëri është shumica e marrëdhënieve që e mbajnë gjallë atë”. Shoqëria jonë ka mbivendosje jonatyrale marrëdhëniesh njerëzore që stonojnë për një shoqëri që pretendon të jetë e shëndetshme.
Nga ndryshon të kamurit dhe të qenurit mirë sipas autorit?
Ky është një studim ku vetë profesori vë theksin tek ekonomia, pra të pasurit kanë shumë të rëndësishëm kapitalin që kanë, duke përjashtuar çështjen e lumturisë.
Ndjenja nuk mund të matet as të merret në konsideratë në një realitet numrash. Mirëqenia dhe e mira e përbashkët ngelen terma abstrakte, kur paraja në një shoqëri ka vlerën kryesore.
Si trajtohet roli i shtresës së mesme apo minoriteti?
Studimet tregojnë se shtresa e mesme po rrudhet në mënyrë të frikshme. Ndasitë politike, kulturore etj, po e theksojnë gjithnjë e më shumë shtresën e varfër dhe atë shumë të pasur. Shembull nga autori merren njerëzit me ngjyrë të cilët nuk respektohen, pavarësisht politikave në dukje integruese të SHBA. Ata janë segmente të shoqërisë që ende jetojnë në një realitet që nuk i përfaqëson vlerat e tyre.
Cilat janë tiparet e kapitalizmit amerikan të 30 viteve të fundit?
Në libër autori thotë se nuk ka një lloj kapitalizmi po disa kapitalizma sipas vendeve dhe interesave. Autori kritikon ashpër kapitalizmin amerikan.
Cilat janë ato marrëdhënie që kërcënohen më shumë nga ashpërsia e kapitalizmit?
Marrëdhëniet njerëzore janë dëmtuar nga paraja dhe mbivendosja e kapitalizmave dhe interesave që kanë shtete e kompani të caktuara. Këto kompani drejtojnë tregun botëror dhe impakti që kanë në botën mbarë si edhe në elementë të tjerë që ndërtojnë një ekuilibër komunikativ të një shoqërie masive ndikojnë shume në raportet njerëzore.
Referuar studimit të studiuesit Rufkin, i cili krahason ëndrrën amerikane dhe atë evropiane. Ëndrra amerikane është më garuese e pashpirt, dhe ka nevojë për një ristrukturim të thellë, ndërsa ëndrra evropiane bazohet më shumë tek e përbashkëta, tek të mirat kom-unitare.
Autori vë theksin tek ajo çka e përmirëson dhe dallon apo e shënjon në aspektin pozitiv.
Cila është zgjidhja që autori propozon?
Njeriu duhet të përpiqet t’i përmirësojë marrëdhëniet njerëzore dhe atë çka është e përbashkët për të gjithë, publiken, tonën, atë çka ne na bashkon si shoqëri, kjo është një zgjidhje.
Manipulimi i masave nëpërmjet publicitetit?
Bartolini ka rezerva dhe bën kritikë të fortë për median. Publiciteti është në duart e një grupi të vogël njerëzish që kanë interesat e tyre thellësisht ekonomike dhe kont-urojnë realitetin sipas këtyre interesave. Një ndër konstatimet që bën ai janë vendet skandinave, ku ndalohet kategorikisht ekspozimi ndaj publicitetit i fëmijëve 7-8 vjeç.
Publiciteti vijon të luajë rol jo-pozitiv në shoqërinë e komunikimin masiv. Audienca e fëmijëve, e cila është shumë e ndjeshme dhe mesazhet e përçuara i merr shabllon. Kjo në fakt krijon distancë komunikative duke i zbehur ato. Individi ndjehet më shumë i përfaqësuar me të jashtmen sesa me thelbin e tij, familjen, bazën e shoqërisë.
Krijohet një fëmijë i lidhur më forte më teknologjinë sesa me familjen.
Si e përkufizon autori paranë?
Autori e quan paranë një simbol, shënjues, diçka material, johumane dhe si mund të pretendojmë që paraja të na bëjë më njerëzorë? Gabohemi nëse pretendojmë se ajo mund të jetë burimi ynë i lumturisë. Janë lidhjet me familjen, me natyrën, me hapësirën publike ajo që na bën mirë e i jep kuptim jetesës, bashkëjetesës dhe komunikimit pozitiv që duhet të ekzistojë midis njerëzve.
A ka modele vendi ynë që mund të merren për t’u përmirësuar ?
Për sa kohë vendi ynë nuk investon për shkollat dhe ka buxhetin më të vogël për arsimin atëherë niveli akademiko-intelektual le për të dëshiruar.
Cili është roli i medias në shoqëri si pushteti i katërt?
Roli i medias nuk është ai që duhet duke qenë në një fazë tranzicioni dhe futjes në një fazë komercializimi të thellë për shkak të konkurrencës.
Media, si logjikë parësore ka përfitimin, po si zgjidhet? Vendet evropiane kane një autoritet publik i cili është i fortë, i pavarur dhe nuk ndikohet nga interesa të tjera përveç atyre publike dhe ku shoqëria pasqyrohet në elementet e saj më pozitivë dhe shpresëdhënës.
Sipas autorit një media e mirë është ajo që pasqyron realitetin e të gjitha grupeve të interesit që përbëjnë një shoqëri. Ato bashkëveprojnë me interesin e përgjithshëm, media e mirë është ajo që rri mes pushtetit dhe qytetarit.
Sipas nobelist Josef Stiklic, nje individ e ka të vështirë të shndërrohet në qytetar për sa kohë ai është i izoluar nga pushteti ekonomik, politik dhe pushteti mediatik. Rinia, si motori i shoqërisë mund të bëjë ndryshimin.
Ne si vend me moshën mesatare më të re në Evropë duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën e duhur fuqinë e saj. Politika gjatë 25 viteve të fundit nuk ka qenë aspak ftuese për të. Modeli perëndimor vë theksin tek buxheti tek arsimi i lartë.
Rinia duhet të jetë aktore e dorës së parë. Autori propozon si zgjidhje bashkimin e njerëzve, të qenët bashkë në të mirat dhe të këqijat e tyre, respektimin e pronës kom-unitare, qendrores e lokales, duke i integruar e bërë bashkë njerëzit.
Shoqëritë e shëndetshme kanë nevojë t’i shkatërrojnë mitet, duke pranuar fitoret e humbjet, i ftuari merr si shembull Winston Curcil, i cili pasi e shoqja i thotë se kishte humbur zgjedhjet, ai duke u rruar i thotë…më kalo peshqirin….!