Dinamo e Zagrebit ka arritur një sukses për të cilin tifozët e skuadrës më të madhe kroate kanë pritur për plot 49 vjet – garimin në kupa evropiane në pjesën e dytë të edicionit. Dinamo është prej 32 skuadrave më të mira në Ligën e Evropës, ndërsa muajin tjetër do të takohet në 1\16 e finales me Viktoria Plzenin e Çekisë.
Dinamo fitoi grupin, ku ishin edhe Fenerbahçe, Spartak Trnava e Anderlechti dhe kështu siguroi “dimërimin” në Evropë. Prej më meritorëve për këtë sukses vlerësohet mesfushori shqiptar, Arijan Ademi. Ai është kapiten i Dinamos dhe vlerësohet lider i saj, shkruan sot Koha Ditore.
Është lojtar që kontrollon mesfushën, ndërsa cilësitë e tij tifozët e Kosovës mund t’i shohin në mars të vitit të ardhshëm. Pritjet janë që në mars të vitit 2020, Maqedonia e Kosova të takohen në gjysmëfinale të plejofit të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ademi është prej lojtarëve kryesorë të Maqedonisë.
Te kjo ndeshje nuk do të vijë nëse Maqedonia apo Kosova kualifikohen në “Euro 2020” përmes kualifikimeve të rregullta që zhvillohen gjatë vitit 2019. Por ka pak gjasa që Kosova e Maqedonia të sigurojnë evropianin e ardhshëm me kualifikime të rregullta dhe për këtë rasti i artë për të dy përfaqësueset do të jetë plejofi i Ligës D.
Përmes plejofit rruga deri te evropiani është më e shkurtër. Duhet të fitohet gjysmëfinalja e plejofit e më pas edhe finalja e plejofit të Ligës D. Me shumë gjasa në gjysmëfinalen tjetër do të takohen Gjeorgjia e Bjellorusia.