Lideri palestinez uron Bidenin dhe kërkon të rikthehet ambasada amerikane në Tel Aviv

Prishtinë | 08 Nën 2020 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas të dielën e ka uruar Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden në një deklaratë ku tregonte se ai do ta heqë bojkotin e tij politik tre-vjeçar të Shtëpisë së Bardhë, raporton Reuters. Abbas do të kërkojë që gjatë administratës Biden, SHBA ta heqë ambasadën e saj nga Jerusalemi, për ta rivendosur atë në Tel Aviv. Kjo do të kishte pasoja edhe për Kosovën, që në marrëveshjen e nënshkruar në shtator në Shtëpinë e Bardhë, ishte zotuar që ta ngriste ambasadën e saj në Jerusalem, duke marrë në këmbim njohjen e pavarësisë nga Izraeli.

Abbas u kishte dhënë fund të gjitha marrëdhënieve politike me administratën e Presidentit Donald Trump pas vendimeve të udhëheqësit amerikan në 2017 për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të zhvendosur Ambasadën e SHBA-së atje.

“Unë e përgëzoj Presidentin e zgjedhur Joe Biden për fitoren e tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për periudhën e ardhshme”, tha Abbas në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij në Ramallah të Bregut Perëndimor. “Unë pres që të punoj me Presidentin e zgjedhur dhe administratën e tij për të forcuar marrëdhëniet Palestinezo-Amerikane dhe për të arritur lirinë, pavarësinë, drejtësinë dhe dinjitetin për popullin tonë”, thuhet tutje në deklaratë.

Lëvizjet e Trumpit e kishin kënaqur Izraelin por i kishin tërbuar palestinezët, të cilët pretendojnë Jeruzalemin lindor si kryeqytet të tyrin dhe e konsideruan mbështetjen e Trumpit për Izraelin si minimin e qëllimit të tyre të shtetësisë. Bojkotimi i Abbas ishte i popullarizuar në mesin e palestinezëve, të cilët të dielën dolën në rrugë për ta festuar humbjen e Trumpit.

Edhe pse kontaktet e autoriteteve të sigurisë me Uashingtonin vazhduan prapa skenave, udhëheqja palestineze u ndje gjithnjë e më e izoluar, veçanërisht pasi Izraeli nënshkroi marrëveshje me shtetet arabe të Gjirit për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Në ditët para zgjedhjeve, rrethi i ngushtë i Abbas u takua për të diskutuar nëse ata duhet të rinisnin kontakte politike me Shtëpinë e Bardhë nëse Biden fiton, i tha Reuters një zyrtar palestinez.

Bassam Al-Salhe, një anëtar i lartë i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, e udhëhequr nga Abbas, tha të dielën se bojkoti ishte i lidhur kryesisht me atë që ai e quajti “politikë armiqësore” të administratës së Trump.

“Kur Biden të njoftojë se kjo do të ndryshojë – dhe ai paralajmëroi gjatë fushatës së tij zgjedhore – nuk do të ketë asnjë arsye për bojkot”, tha ai.

Biden ka thënë se do t’i rikthejë fondet në Bregun Perëndimor dhe Gaza, që Trump i kishte ndalur, duke përfshirë ndihmën e dhënë përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara. Ai gjithashtu ka kundërshtuar në të kaluarën ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të okupuar dhe kishte shprehur mbështetje për një zgjidhje midis dy shteteve në konflikt, një formulë që do të shihte një shtet të ardhshëm të Palestinës së bashku me Izraelin.

Por ai nuk ka të ngjarë të ndryshojë vendimet e Jeruzalemit. Biden i ka mirëpritur afrimet e Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Sudanin, edhe pse palestinezët i dënuan këto lëvizje.

Midis palestinezëve të goditur më shumë nga Trump ishin refugjatët, pas vendimit të tij të vitit 2018 për të ndërprerë të gjitha fondet e SHBA-së – më shumë se 300 milionë dollarë në vit – për agjencinë e Kombeve të Bashkuars, UNRWA.

“Humbja e Trump është fitore për ne, për popullin Palestinez, sepse ai e kishte shitur çështjen Palestineze”, tha Anwar Abu Amira, 38 vjeç, refugjat në Kampin e Plazhit në Gaza. “Që kur mori detyrën e derisa humbi, ai u përpow ta zhdukte identitetin palestinez”, tha Abu Amira.

Analisti politik i Gazës, Hani Habib tha se fitorja e Biden do ta inkurajonte Abasin që të ri-përfshihej në negociata me Izraelin, një veprim që e ka kërkuar prej kohësh bashkësia ndërkombëtare. Ai tha se kjo mund të komplikojë përpjekjet e Abasit për t’u pajtuar me rivalët e tij kryesorë të brendshëm, lëvizjen islamike Hamas, megjithëse Habib tha se nuk beson që Biden do ta trajtojë shpejt këtë çështje.

“Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, Biden ka çështje shumë më të rëndësishme dhe të menjëhershme  sesa konflikti izraelito-palestinez, çështje si Irani, NATO dhe aleanca me Evropën”, tha ai.

Të ngjashme