A duhet të përdorni aspirinë, mësoni efektet pozitive dhe negative

Prishtinë | 04 Sht 2022 | 22:47 | Nga Ekonomia Online

Aspirina përdoret zakonisht si lehtësues dhimbjesh të vogla dhe për reduktimin e temperaturës. Është gjithashtu një ilaç anti – inflamator dhe mund të përdoret dhe si hollues gjaku.

Njerëzit me rrezik të lartë për të formuar mpiksje gjaku apo për të pësuar goditje në tru dhe atak kardiak mund ta përdorin aspirinën në mënyrë afatgjatë në doza të ulëta.

U jepet shpesh pacientëve menjëherë pasi kanë pësuar atak kardiak për të parandaluar formimin e mëtëjshëm të mpiksjeve të gjakut dhe vdekjen e indeve kardiake.

Çfarë është aspirina?

Aspirina është një ilaç anti – inflamator, jo – steroidal. Ilaçe të tilla kanë këto efekte:

  • analgjezik – qetëson dhimbjet e lehta pa anestezi dhe humbje të vetëdijes
  • antipiretik – redukton temperaturën
  • anti – inflamator
  • Jo-steroidal do të thotë që aspirina nuk përmban steroide. Steroidet shpesh kanë efekte të ngjashme por mund të kenë dhe efekte anësore të padëshiruara.

Përdorimi

Aspirina është një nga ilaçet që përdoret më shpesh për trajtimin e dhimbjeve (nga atyre të lehta deri të moderuara), migrenën dhe temperaturën.

Përdorime të zakonshme përfshijnë përdorimin për dhimbje koke, grip, ftohje, tendosje muskujsh dhe dhimbje apo sëmundje kronike siç është artriti.

Në doza të larta mund të trajtojë apo të ndihmojë në reduktimin e simptomave të:

  • Temperaturës reumatike
  • Artritit reumatoid
  • Perikarditit

Në doza të ulëta përdoret:

  • Për të parandaluar formimin e mpiksjeve të gjakut dhe reduktimin e riskut për sulm ishemik
  • Për të parandaluar infarktin e miokardit në pacientët me sëmundje kardiovaskulare
  • Për të parandaluar goditjet në tru
  • Për të parandaluar kancerin kolo-rektal

Aspirina dhe fëmijët

Zakonisht  nuk është e përshtatshme për fëmijët nën 16 vjeç, sepse mund të rrisë riskun për sindromën e Reye – së, që mund të shfaqet pas një virusi, siç është i ftohti, gripi apo lija. Mund të çojë deri në dëmtim të trurit apo vdekje.

Por një specialist mund të përshkruajë aspirinë për një fëmijë nëse ai vuan nga sëmundja Kaëasaki dhe për të parandaluar formimin e mpiksjeve të gjakut pas opercioneve të zemrës.

Më shpesh në vend të aspirinës tek fëmijët përdoren paracetamoli, ibuprofeni etj.

Aspirina në doza të ulëta

Një dozë e ulët aspirine, 75 – 81 mlg në ditë, mund të përdoret si mjekim anti – trombocitoz, për parandalimin e formimit të mpiksjeve të gjakut.

Ajo mund t’u jepet pacientëve pas:

  • Një ataku kardiak
  • Një goditjeje në tru
  • Fibrilacionit atrial
  • Sindromi koronar akut

Mund t’u rekomandohet nga mjeku marrja e aspirinës në doza të ulëta dhe personave që kanë faktorët e mëposhtëm të riskut:

  • Nivele të larta kolesteroli në gjak
  • Hipertension
  • Diabet
  • Janë duhanpirës

Aspirina nuk rekomandohet për personat që kanë:

  • Ulçerë peptike
  • Hemofili apo ndonjë çrregullim tjetër të gjakderdhjes
  • Alergji nga aspirina
  • Alergji nga ilaçe të tjera të ngjashme si psh. ibuprofeni
  • Janë të rrezikuar nga gjakderdhja gastrointestinale
  • Pijnë rregullisht alkool
  • Po ndërmarrin trajtim dentar apo operacional, sado të vogël

Ndërsa personat me problemet e mëposhtme duhet të kënë kujdes me marrjen e aspirinës dhe duhet ta marrin atë vetëm kur u lejohet nga mjeku:

  • Personat me astmë
  • Hipertension të pakontrollueshëm
  • Ka pasur ulçerë peptike
  • Probleme në mëlçi
  • Probleme në veshka
  • Gratë që janë shtatzënë apo po ushqejnë me gji mund të marrin aspirinë në doza të ulëta, por vetëm me rekomandimin e mjekut.

Efektet anësore

Efektet më të shpeshta të aspirinës janë:

  • Irritim i stomakut apo zorrëve
  • Probleme me tretje
  • Të përziera

Ndërsa efektet e mëposhtme anësore mund të shfaqen por nuk janë të zakonshme:

  • Përkeqësimi i simptomave të astmës
  • Të vjella
  • Gjakderdhje në stomak
  • Të nxira
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme