Dikush pagoi 247 euro, aeroporti i Parisit sjell rregulla të reja për taksistët

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Aeroporti kryesor i Parisit ka futur në fuqi rregulla të reja për taksistët pasi një taksist u incizua duke kërkuar 247 euro nga një çift tajlandez për një vozitje nga aeroporti në qendër të qytetit. Sipas rregullave të reja, dyzet taksistë do të veshin jelekë me numra, në mënyrë që të ardhurit në aeroport t’i dallojnë ata më lehtë.

“Lufta kundër taksistëve ilegalë është prioritet i sigurisë publike. Shërbimet e taksistëve janë pjesë e mikpritjes dhe ne nuk guxojmë t’i nënvlerësojmë efektet e tmerrshme që këto sjellje mund t’i shkaktojnë”, tha shefi i policisë së Parisit, Michel Delpuech. Orari i ri i taksistëve do të jetë çdo ditë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 11 para mesnatës dhe veturat e tyre do të parkohen në një vend që është lehtësisht i dukshëm.

Policia franceze kishte filluar hetimet pasi dy turistëve tajlandezë iu kërkuan 247 euro për një udhëtim prej 45 kilometrash nga aeroporti në qendër të qytetit. Në një video të siguruar nga vetë turistët, shihet taksisti duke bërtitur: “Taksitë në Paris janë të shtrenjë…më paguani.” Ky udhëtim do të duhej të kushtonte 55 euro, bazuar në skemën zyrtare të taksistëve të aeroporteve të Parisit.

Çifti ofroi t’i paguante 200 euro në mënyrë që taksisti t’i zhbllokonte dyert e veturës dhe ata të dilnin. Më vonë, ai u identifikua nga policia përmes videos dhe u dënua më burgim prej 8 muajsh muajin e kaluar, pasi ishte shpallur fajtor për mashtrim dhe kërcënim. Policia franceze ka deklaruar se i ka dhënë 918 vërejtje për taksistët e palicensuar gjatë vitit 2017, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme