Nevoja për të qenë në qendër të vëmendjes

Prishtinë | 12 Nën 2018 | 23:00 | Nga Ekonomia Online

Njerëzit janë krijesa shoqërore dhe kanë nevojë për bashkëveprim shoqëror, për opinionin e dikujt tjerët dhe për tu vlerësuar e pranuar për atë që janë. Këtë ata e përfitojnë gjatë jetës së përditshme, sidomos nga puna dhe nga marrëdhëniet dashurore. Daniel Goleman e quan pjekurinë emocionale “inteligjencë emocionale”, ose IE.

Ai beson, dhe unë jam dakord me të, se IE është një tregues më i mirë i karakterit dhe vlerave të një personi sesa IQ (Intelligence quotient – koeficienti i inteligjencës).

Përkundrazi, një person i papjekur emocionalisht nuk ka vetëbesim dhe vetëvlerësim të lartë për veten, prandaj ai ndihet vazhdimisht i pasigurt. Për t’iu kundërvënë këtyre ndjenjave të pasigurisë ai do të shpenzojë një pjesë të mirë të jetës së vet duke krijuar situata, në të cilat ai të jetë në qendër të vëmendjes. Ka mundësi që nevoja për vëmendje të jetë në proporcion të zhdrejtë me pjekurinë emocionale. Rrjedhimisht, cilido person që kërkon të tërheqë vëmendje po të tregon se sa i papjekur është emocionalisht.

Sjelljet që kërkojnë të tërheqin vëmendjen janë çuditërisht shumë të zakonshme. Të qenit në qendër të vëmendjes lehtëson ndjenjën e pasigurisë dhe të paaftësisë.

Mirëpo, lehtësimi është i përkohshëm, kështu që problemi mbetet i pazgjidhur. Vetëbesimi dhe vetëvlerësimi mbeten në nivele të ulëta.

Njerëzit e pasigurt dhe të papjekur emocionalisht shpesh shfaqin sjellje të dhunës psikologjike, veçanërisht manipulim dhe mashtrim. Këto janë të nevojshme për të tërhequr vëmendjen, e cila nuk mund të fitohet ndryshe. Dhunuesit psikologjikë dhe ngacmuesit emocionalisht kanë moshën e një fëmije të vogël. Ata mund të kenë shpërthime të menjëhershme inati, mashtrojnë, gënjejnë dhe manipulojnë, në mënyrë që të fshehin natyrën e tyre të vërtetë dhe t’i shmangen përgjegjësive.

Tërheqja e vëmendjes dhe narcizmi

Ashtu si edhe shumë çrregullime të tjera personaliteti, edhe narcizmi shfaqet në mënyra të ndryshme tek shumë njerëz. Shumë drejtues biznesesh shfaqin narcizëm, po kur narcizmi bëhet i pranishëm më shumë se ç’duhet, fitimet afatshkurtra zëvendësohen nga paqëndrueshmëria afatgjatë, e cila mund dhe shpesh çon drejt shkatërrimit.

Nevoja për vëmendje ka rëndësi jetike për personin me çrregullim personaliteti narcisit. Ajo ose ai do të bëjë gjithçka ka mundësi që ta fitojë vëmendjen. Gjatë viteve të fundit, numri më i lartë i telefonatave që i janë drejtuar Linjës Kombëtare për Këshillimin rreth Dhunës Psikologjike në Britaninë e Madhe, ka ardhur nga sektori i institucioneve bamirëse, institucioneve vullnetare, organizatat jofitimprurëse. Në shumicën e rasteve (jo të gjitha) dhunuesi psikologjik është një femër, qëllimi i së cilës është që t’i tregojë botës se çfarë personi i shkëlqyer, i sjellshëm, dashamirës dhe i dhembshur është ajo. Deklarata madhështore, pozicion i dukshëm, ndjeshmëri e papërmbajtur, pjesëmarrje në shumë komisione për kauza të mira, etj, janë elementë të zakonshëm. Megjithatë, qarkullimi i stafit është i lartë, ndërsa morali i ulët ndër ta që bëjnë punën dhe kontaktojnë me klientët.

Të ngjashme