Ushqimet e pasura me kalcium

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Kalciumi është një mineral shumë i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Ndonëse ai merret kryesisht nga ushqimet, shpesh mund të lindë nevoja për suplement, të cilët gjithsesi duhen marrë me rekomandimin e mjekut.

Në këtë artikull do të mësoni më shumë për sasinë e nevojshme të kalciumit që ju nevojitet çdo ditë dhe burimet ku mund ta gjeni.

Përfitimet që i vijnë organizmit nga kalciumi

Trupi ka nevojë për kalcium për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kockave. Kalciumi është i nevojshëm edhe për shëndetin e zemrës, muskujve dhe nervave.

Studimet, të cilëve u referohet AgroWeb.org konfirmojnë se kalciumi bashkë me vitaminën D, ofrojnë përfitime që shkojnë përtej shëndetit të kockave. Të dyja së bashku, besohet të ofrojnë një lloj mbrojtje kundër kancerit, diabetit dhe tensionit të lartë të gjakut.

Megjithatë, këto pretendime kanë nevojë për më shumë studime shkencore.

Rreziqet e nivelit të ulët të kalciumit në organizëm

Nëse njeriu nuk merr mjaftueshëm kalcium, do të përballet me probleme shëndetësore që nuk prekin vetëm kockat. Mungesa e kalciumit tek fëmijët vështirëson rritjen e tyre.

Tek të rriturit shkakton rënie të dendësisë kockore, që është faktor rreziku për shfaqjen e osteoporozës.

Sasitë e nevojshme të kalciumit për organizmin

Sasia e nevojshme e kalciumit është në varësi të moshës dhe gjinisë. Burrat dhe djemtë nga mosha 19 deri në 70-vjeç duhet të konsumojnë 1.000 mg kalcium në ditë.

Pas moshës 70-vjeçare, burrat duhet të marrin 1.200 mg kalcium në ditë. Sa i përket grave dhe vajzave nga 19 deri në 50-vjeç ato duhet të konsumojnë 1,000 mg kalcium në ditë.

Gratë mbi 51-vjeç duhet të shtojnë këtë dozë me 200 mg të tjera.

Burimet ushqimore të kalciumit

Trupi i njeriut nuk prodhon dot kalcium, ndaj i nevojitet ta marrë atë nga një sërë ushqimesh të ndryshme.

AgroWeb.org ju këshillon se kalciumin mund ta gjeni tek djathi, qumështi dhe kosi, por edhe tek perimet si brokoli dhe barishtet. Peshku me hala të buta siç është salmoni dhe sardelet janë gjithashtu burime të mira të kalciumit.

Përthithja e mirë e kalciumit ka nevojë për vitaminë D. Përveç ekspozimit në diell, vitaminën D mund ta gjeni edhe tek salmoni apo e bardha e vezës.

Njerëzit që kanë tolerancë të ulët ndaj bulmetit, ata që hanë ushqime me kripë, ata që vuajnë nga osteoporoza duhet të marrin suplementë të kalciumit me rekomandimin e mjekut.

Të ngjashme