Pas një edicioni që u dominua nga ekipet angleze në garat evropiane, radha është te Përfaqësuesja e Anglisë që të ndjekë shembullin e tyre, duke fituar Ligën e Kombeve, turneu final i së cilës nisi të mërkurën dhe përfundon të dielën në Portugali.
Për Anglinë ky do të ishte sukses i madh dhe vazhdimësi e formës së lartë që nisi në botërorin “Rusia 2018”, kur përfundoi e katërta, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.
Në gjysmëfinale të “Final Fourit” të Ligës së Kombeve, Anglia do të përballet me Holandën, të enjten (sot, 20:45) në Guimaraes.
Seleksionuesi i Anglisë, Gareth Southgate pranon se ka shumë dëshirë ta fitojë këtë garë inauguruese të UEFA-s, por pranon se nuk do të jetë e lehtë. Ai nuk e di se cilët lojtarë që luajtën në finalen e Ligës së Kampionëve, ndërmjet Tottenhamit dhe Liverpoolit, t’i angazhojë kundër Holandës.
Shtatë lojtarë prej të dyja këtyre ekipeve janë ftuar nga Southgate për Ligën e Kombeve, përfshirë edhe kapitenin Harry Kane. Ai thotë se ata kanë pasur një edicion të ngarkuar, përfshirë këtu edhe lojtarët që luajtën në finalen e Ligës së Evropës ndërmjet Chelseat dhe Arsenalit, ndeshje e zhvilluar kjo javën e shkuar.