Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER) ka organizuar konferencë për medie me temën “Mbrojtja e mjedisit në Kosovë”.
Aty u tha se korniza ligjore sa i përket mbrojtjes së mjedisit është duke përparuar, por se ende ka ngecje në implementim, raporton Ekonomia Online.
Marija Milenkoviq nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial, tha se problemet që kanë identifikuar janë moszbatimi sa duhet i ligjit.
“Infrastruktura ekzistuese nuk është e mjaftueshme. Vetëdijesimi i njerëzve është shumë i vogël për ngritjen e vetëdijes. Ekologjia dhe zhvillimi ekonomik janë dy gjëra të ndërlidhura mes vete. Do të ishte mirë që të zbarohet parimi i ekonomisë së gjelbër”, ka thënë ajo.
Ilir Morina, kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, tha se në bazë të të dhënave legjislacioni për mjedis është i kompletuar dhe mbi 80-90 për qind e ligjit është harmonizuar,ndërsa problem mbetet implementimi i tyre.
“Secili ligj i cili përveç që nuk është kompletuar ende vijnë propozime të reja për rregullore, kështu që duhet kohë për të parë pse nuk po implementohen. 60 për qind e legjislacionit për t’u implementuar varet nga komunat. Kemi nevojë që edhe politikanët që fitojnë vota të informohen sepse nuk janë mjaft të informuar mirë për mjedisin”, ka thënë ai.
Ai tha se ndotja e ajrit është problem evident.