Ligji i mjegullës

Prishtinë | 09 Kor 2016 | 14:32 | Nga

Ligji për investimet strategjike nuk ka mundur të kaloj në Kuvendin e Kosovës,  meqenëse, pos mangësive që i ka ai,  disa deputetë, madje edhe nga partitë në koalicion, nuk duan që të kenë një qeveri me kompetenca të mëdha dhe me mundësi të keqpërdorimit të besimit

Kosova duhet ta ketë Ligjin për investime strategjike, me qëllim të përmbushje se synimeve strategjike që ka vendi, e që kanë ndikim të madh në zhvillimin përgjithshëm të vendit. Qëllimet të këtilla definohen me një dokument qeveritare, i cili buron nga një grumbull i madh i analizave.

Në esencë këtë synim ka edhe ligji i tillë, i cili nuk e pëlqyen shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. I thanë – jo ! Arsyet, shpesh edhe të paqëndrueshme.  U dëgjuan zëra se po bëhet një koncentrim i madh i kompetencave të qeverisë, të cilat po qojnë kah centralizmi  dhe prishja e konkurrencës, pastaj, se këto kompetenca mund të keqpërdoren, meqenëse ligji krijon hapësira të tilla, apo përmes ligjit partitë e koalicion kanë për qëllim të përmbushin disa premtime që u kanë dhënë individëve- militantëve partiak që vijnë nga bota e biznesit, ashtu që t’ua kthej borxhin. Apo, se ata që nuk e votojnë këtë ligj janë kundërshtarë të zhvillimit të vendit  dhe nuk duan të hapin rrugë për investime serioze.

Ku fjalor është i zakonshëm në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët më shumë merren me aspektet periferike, se sa me esencën- përmbajtjen ligjit.  Aty gjinden arsye e shumta pse kjo përmbajtje ligjit nuk do të duhej të kaloj, kurse mekanizmat qeveritar të obligohen që sa më parë të hartojnë një dokument po me këtë emër, por me përmbajtje më ndryshe.

Arsyeja e parë qëndron në faktin se sipas këtij ligji nuk dihet çka është strategji, synim strategjik, e së bashku me këto edhe investitori strategjik mbetet i mjegulluar.   Sipas ligjit, “ projekt për investime strategjike konsiderohet çdo investim me interes publik i cili do të ndihmojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Republikës së Kosovës”.  Pra, çdo investim, pa marrë parasysh sektorin. Si të tilla, qeveria ka identifikuar 14 sektorë, që sipas saj janë strategjik për vendin- duke filluar nga energjetika, bujqësia, turizmi e telekomunikacioni, e duke lënë si sektor jo strategjik minierat- xehetarinë, apo teknologjinë informative.

Kriter kryesor  qeveria a përcaktuar vëllimin e investimeve dhe vendet e punës, në mënyrë që ato të ndikojnë “ në përmirësimin e përgjithshëm të kualitetit të jetës së qytetarëve’. Ndërkaq, ka harruar pjesën e parë po të njëjtës fjali, ku thuhet se  këto investime të ndikojnë në zhvillimin përgjithshëm ekonomik. Pra, që në fillim janë dy mangësi. E para, investimet strategjie nuk duhet të përkufizohen vetëm me vëllimin e investimeve dhe me numrin e vendeve të punës që hapen, meqenëse ky kriter marxhinalizon  impaktin në zhvillimin përgjithshëm ekonomik.

Mund të ketë shumë investime, me pak punëtorë, por që ndikimi i tyre të jetë i madh edhe në sektorët e tjerë- po e zëmë teknologjia informative, apo sektorët e tjerë me teknologji të avancuar. E dyta, qeveria përmes këtij ligji fare nuk merr parasysh interesin e investitorëve, meqenëse ata i ngarkon me shumën e parave  që duhet ta sjellin dhe sa veta t’i fusin në punë.  Ndërkaq, është dashur që atyre t’iu ofrohen më shumë kriteret për të vendosur se a duan të investojnë, apo jo. Më saktësisht që ta fitojnë statusin e investitorit strategjik edhe nëse kanë  më pak të  punësuar, por që çaponj rrugë për zhvillimin sektorëve të tjerë, të cilët ofrojnë punësim.

Nga ana tjetër, ky ligj nuk përputhet me orientimet strategjike që a përcaktuar qeveria  deri në vitin 2021.  Sipas këtij plani, orientim strategjik janë qasja në financa, grupimi i ndërmarrjeve, përmirësimi i standardeve të cilësisë, rritja e IHD-ve dhe investimeve nga diaspora, zgjidhja e çështjes së tokave bujqësore të fragmentuara,  revitalizimi i “Trepçës”, investimi i mjeteve të Fondit të Privatizimit në asete strategjike dhe rritja e efektivitetit të ndërmarrjeve në pronësi shtetërore.

Sa do që këto mund të pranohen si synime, por nuk e bëjnë të qartë se cilët janë sektorët strategjik, ku  duhet të nxiten dhe të stimulohen investitorët.  Ka përpjekje që kjo të bëhet përmes ligjit, mirëpo këtu gjithçka futet në një thes, apo si thotë populli, “përzihen mollate  dardhat”.  Nuk janë të njëjta investimet në energjetikë, me ato në transport dhe në mbledhjen e mbeturinave, ku, sipas ligjit, investimet për një të punësuar janë gati se të njëjta.  Ndërkaq,  ndryshon esencialisht ndikimi i tyre në zhvillimin përgjithshëm ekonomik.

Mbështetur në përvojat nga dështimi i privatizimit të PTK-së dhe koncesionimit të Brezovicës, qeveria përmes ligjit përpiqet të fusë një praktikë të re në procesin e prokurimit. Ajo “mund t’i ftojë subjektet investuese që të aplikojnë për përzgjedhjen e subjekteve investuese për  realizimin e ndonjë projekti strategjik, në rastet kur ajo vlerëson që interesi publik i Republikës së Kosovës për realizimin e investimeve strategjike mund të arrihet përmes procedurave tenderuese të parapara me Ligjin përkates për Partneritet Publiko Privat dhe Ligjin përkatës për Prokurimin Publik”.

Ideja duket e mirë, meqenëse thjeshtëson procedurat, garanton efikasitet dhe arritjen e synimit përfundimtar.  Por, edhe këtu dalin dy probleme- e para që ndërlidhen me 14 sektorët, që do të thotë se qeveria mund të thërras investitorë edhe për ndërtimin e një kopshti për fëmijët, apo hapjen e një deponie bërlloku, me kusht që ata të investojnë shumë e parapare dhe të hapin vende pune si e parasheh ligji. Kjo qasje e minimizon arsyen e prokurimit dhe të garës konkurruese – pse të hapen tenderët. Prandaj, qeveria në këtë mënyrë duhet të veproj vetëm në sektorë të caktuar, të cilat janë me interes për tërë vendi, apo të cilët janë në funksion të nxitjes së zhvillimit të sektorëve të tjerë.

Tek e fundit, duhet pranuar se ishte i mirë  qëllimi që synonte ta arrijë qeveria përmes këtij ligji.  Mirëpo, ajo nuk ishte e kujdesshme në definimin e  sektorëve strategjik, si edhe në zgjedhjen e kritereve që duhet të plotësojnë investitorët. Nuk mund të jetë kriter vetëm shuma  e parave që investojnë ata dhe vendet e punës që hapin. Çështje duhet të shtrohet në dimension më të gjerë , ku qëllim parësorë duhet të jetë ndikimi në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe  ai të jetë  i qëndrueshëm. Kjo edhe e arsyeton votën kundër që ky ligj e mori prej deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Por, gjithsesi se duhet të krijoj një standard ligjor për investimet dhe investitorët strategjik. Tek e fundit, nëse nuk mundet me ligj te veçantë, të bëhet përmes Ligjit për Investimet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme