Ligji i ri: Qytetarët mund të votojnë 10 kandidatë për deputet, s’ka heshtje zgjedhore 48 orëshe

Prishtinë | 20 Gus 2024 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Pa heshtje zgjedhore 48 orëshe, e me procedura të lehtësuara për mërgimtarët, do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Qytetarët do të kenë mundësi, që të votojnë deri në 10 kandidatë të preferuar për deputetë, porse nga monitoruesit e zgjedhjeve kjo po shihet si mundësi më e madhe për manipulim

Më 9 shkurt të vitit të ardhshëm qytetarët të cilët do tu drejtohen kutive të votimit, do të kenë mundësinë që për herë të parë të votojnë deri në 10 kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi që zgjedhjet e ardhshme, do të organizohen bazuar në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Por, sipas, Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, mundësia e manipulimit me vota është më e madhe me rritjen e numrit për votim të kandidatëve për deputet, tek shton se në këtë projektligj janë bërë edhe disa ndryshime të tjera.

“Edhe pse nuk është adresuar në tërësi kërkesa për të pasur reformë zgjedhore të plotë, legjislacioni ka pësuar një sërë ndryshimet, e që më përmbajtësoret është rritja e numrit të votës nga 5 në 10 kandidat, tani qytetarët do kenë mundësi që të votojnë 10 kandidatë brenda listës së subjektin që votojnë, ndryshim ky i cili edhe mund ta vonojë procesin dhe rrit potencialin për manipulime sepse rëndom qytetarët nuk kanë pasur 3 deri në 5 kandidatë të preferuar,” ka thënë Cakolli.

Një ndryshim tjetër i shumë komentuar është edhe ai i votimit të bashkatdhetarëve, e që në zgjedhjet e ardhshme, do të jetë më i lehtësuar.

Vetëvendosje ishte zotuar se do ta ndryshojë ligjin për t’i lehtësuar mërgimtarëve votimin, derisa pjesën më të madhe të votave nga jashtë e ka po kjo parti politike.

“Mënyra e votimit të diasporës, tash përveç që kanë mundësinë të votojmë përmes postës, sipas asaj që kanë bërë viteve të kaluara, drejtpërdrejtë në KQZ, tash do ta kenë mundësinë votimin në qendra të votimit që do të hapen atje, ne ambasada apo zona tjera ku KQZ-ja konstaton që ka kushte për tu mbajtur zgjedhjet, kështu që mërgimtarët mund të votojnë duke i paraprijë një regjistrimi në sistemin që KQZ- ja i hap,” ka thënë analisti, Shemsi Jashari.

Ky projektligj parasheh që nisja e heshtjes zgjedhore fillon me hapjen e qendrave të votimit, e jo 48 orë para siç ka qenë deri tash.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme u miratua në Kuvendin e Kosovës, vitin e kaluar.

Të ngjashme