Ligji mbi pagën minimale mund të ketë efekt negativ në ekonomi

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Shkruan: Shkumbin Gashi

Në një konferencë për media Partia Social Demokrate e Kosovës tregoi që e ka me urgjencë ligjin mbi pagën minimale. Me këtë ligj synohet që qytetarit të Kosovës t`ia “ngrisin” pagën në pragun minimal prej 250 eurosh nga 170 euro sa është sot. Sipas kësaj partie me ligj duhet të bëhet paga e mbijetesës dhe jo me marrëveshje në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kjo është jo njerëzore dhe jo e drejtë për ata që lirinë e shohin si të shenjtë dhe ligjin si mbrojtës të së drejtave dhe jo si kufizim i saj.

Paga minimale prej 170 eurosh është vendosur ne vitin 2011. Kësaj page nëse i kalkulohet shkalla e inflacionit nga viti 2010-2018, pra i humbjes së fuqisë blerëse të parës, i bie se kjo vlerë prej 170 eurosh ne vitin 2010 sot do të vlenin 203 euro. Pra, PSD po kërkon me ngulm që paga minimale të rritet nga 203 euro në 250 euro. Nëse këtij kalkulimi ia shtojmë edhe rritjen e indeksit të çmimeve prej 2.2 % në vit, atëherë paga minimale që do të përcaktohet me ligj e kërkuar nga PSD është më e vogël se paga minimale e vitit 2010. Për të thjeshtuar: Me ligjin e pagës minimale të vitit 2011 që ishte 170 euro, shporta jonë e blerjeve do të ishte pak më e madhe se sa shporta e blerjes me pagën minimale të propozuar nga Visar Ymeri për vitin 2019 prej 250 euro. Pra, paraja si sasi shtohet por jo edhe fuqia e saj. Për ekonominë paraja ka vlerë sipas fuqisë blerëse të saj dhe jo numrin si variabël. Shtrohet pyetja, çfarë po kërkon PSD? Ajo po kërkon vazhdimin e skllavërisë. Kjo parti kërkon të bëjë ligj pagën skllavëruese.

Në kohën kur kërkesa për punë e barazon dhe raste-raste është më e ulët se sa oferta për punë ligji mbi pagën minimale veç do ta dëmtonte mundësinë e gjithsecilit për një pagë më të lartë. Nëse oferta për punë është me e madhe se kërkesa, atëherë natyrshëm paga do të rritet. Pozicioni negociues i një punëkërkuesi ndaj një punëdhënësi është duke u përmirësuar ndjeshëm ndërsa ky grup partiak socialist politik, me nguti do që këtë pozicion të përmirësuar të punëkërkuesit ta shkatërron me një ligj idiot. Ligji i pagës minimale i ndihmon që një personi pa asnjë aftësi të marrë pagë mbijetese. Por një person pa asnjë aftësi nuk i ndihmon ndërmarrjes. Ndërmarrja është e detyruar t`a largoj nga puna. Ligji i pagës minimale nuk e ndalon dot largimin e tij nga puna, prandaj ky ligj nuk luan asnjë funksion të mirë në ekonominë reale. Ai obligon pagesën prej 250 euro që në asnjë rast nuk do të zbatohet.

Sot, kur një punëmarrës mund ta negocioj pagën e tij fillestare, ngrihet ky grup socialist që në emër të populizmit, tenton të shfrytëzoj naivitetin e qytetarin, dhe pagën prej skllavi të vitit 2011 ta shëndrroj në pagë skllavi të vitit 2019. Kë do ta mashtroj kjo parti ? Paga është diçka që negociohet në zyrën e punëdhënësit, dhe jo në Kuvend të Kosovës, e aq më pak në zyrat e partisë socialiste neomarksiste. Edhe vet Karl Marxi do të ishte kundër pagës minimale të përcaktuar me ligj. Edhe pse me shumë defekte në teoritë utopike të tij, ai nuk shkau aq shumë. Në kryeveprën e tij “ Teoria e Mbivlerës “ ai thotë që “Paga e punëtorit kufizohet me aq sa është absolutisht e domosdoshme për t`u mbajtur gjallë

“Në një vend tjetër thotë se :”Paga minimale është ajo pagë që e bën të mundshme që punëtori të marrë mëditje aq sa mund ta riprodhojë vetveten dhe të jetë i gatshëm që të nesërmen të jetë i aftë për punë “. Pra, krye socialisti nuk pranoi pagën minimale dhe argumentonte se ky ligj legjitimon skllavërin moderne, ndonëse kërkonte shumë më tepër se kaq. Në një ditë të bukur pranvere ngrihen nxënësit e tij të dal duarsh e të çoroditur dhe kërkojnë shpëtimin e punëtorit kosovar nëpërmjet pagës minimale. Kjo quhet hipokrizi. Edhe më keq kur kjo bëhet nga një grup politik.

Ligji mbi pagën minimale mund të ketë efekt negativ në ekonomi. Kur një ligj i pagës minimale e detyron pagën të mbetet mbi nivelin që balancon ofertën dhe kërkesën për punë, ai rrit sasinë e ofruar të punës dhe redukton sasinë e kërkuar të punës, të krahasuar me nivelin e ekuilibrit. Meqenëse ka më shumë punëtorë të gatshëm të punojnë se sa vende pune, disa punëtor mbesin të papunë.

. Ligji mbi pagën minimale e kufizon lirinë që një student, nxënës apo secilit që kërkon punë me gjysëmorari të gjejë atë punë. Nuk mund të ketë gjysëm page nëse paga minimale përcaktohet me 250 euro në muaj. Nëse paga përcaktohet me muaj, ajo nuk mund të paguhet me orë/pune, rrjedhimisht do të jetë e paligjshme dhe e dënueshme. Punëdhënësi nuk do të rrezikon shkeljen e ligjit dhe ia pamundëson studentit të punoj me gjysëmorar. Sipas ligjit, punëdhënësi do të jetë i detyruar ta punësoj më pagë 250 euro për gjysëm orari, ose do të vendos që të mos e punësoj fare. Me këtë rast, humb studenti mundësinë për punë me gjysëm orar, në anën tjetër punëdhënësi humb aftësitë e punëkërkuesit për shkak të ligjit të pagës minimalet.  

Nëse një ndërmarrje ka vështirësi financiare, atëherë ligji mbi pagën minimale do të jetë garantuesi se kjo ndërmarrje do të shuhet shumë më shpejt. Pagat e punëtorëve paraqesin një nga shpenzimet më kryesore të ndërmarrjeve. Nëse kjo nuk lejohet të negociohet brenda ndërmarrjes, sepse ligji e ndalon, atëherë ky ligj është shkaktar i humbjes se vendeve të punës. Këto vende pune të humbura përkthehen në grupe të skemave sociale dhe barrë për financat shtetërore. Kështu rriten skemat sociale dhe shteti thellohet në borxhe deri në falimentim.

Katalaktika paraqet teorinë e shkëmbimeve në treg. Ky shkëmbim në treg bazohet në lirinë e veprimit të secilit në funksion të së mirës individuale. Njeriu është qenie oekonomikus. Ai veprimet e tij i përcakton rreth raportit të kostos dhe përfitimeve. Edhe paga është vendim i tij i lirë. Ai vendos se cila është paga minimale për aftësitë e tij. Ai vendos se sa ka nevojë për një pagë. Ai vendos se çka të blej dhe nga kush të blej. Liria nuk bëhet me ligje. Liria nuk vendoset nga Partia. Ajo nuk vendoset nga politika. Ajo duhet të mbrohet nga politika. Liria i takon individit dhe jo PSD. Jo Visar Ymerit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme