Ligjvënësit britanikë bllokojnë një Brexit pa marrëveshje

Prishtinë | 13 Qer 2019 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Ligjvënësit britanikë ia kanë lënë në dorë qeverisë procesin e daljes nga BE-ja, duke hedhur poshtë nismën e laburistëve, që parashikonte kalimin e tij në duart e Parlamentit dhe daljen nga Unioni pa një marrëveshje.

Ligjvënësit britanikë kanë hedhur poshtë përpjekjen e laburistëve për të marrë nën kontroll procesin e Brexit-it, duke bllokuar njëkohësisht edhe përpjekjen e tyre për një dalje nga BE pa marrëveshje.

Dhoma e Përfaqësuesve e hodhi poshtë nismën me 309 vota kundër dhe 298 pro. Rezultati i votimit u përshëndet me brohoritje nga ligjvënësit konservatorë, por lideri i laburistëve Jeremy Corbyn u përgjigj duke bërtitur: “Nuk do të brohorisni në shtator!”.

Ndërkohë, votimi u përshëndet edhe nga qeveria britanike, e cila deklaroi se dhënia e dritës jeshile ligjvënësve për të diktuar politikat e Brexit-it do të kishte krijuar një precedent të rrezikshëm. Mbretëria e Bashkuar ishte planifikuar të largohej nga BE-ja më 29 mars, por Unioni vendosi një shtyrje 7-mujore pasi Parlamenti rrëzoi tre herë marrëveshjen e hartuar nga kryeministrja Theresa May me Brukselin. Por nga ana tjetër, mes kundërshtarëve të opsionit të daljes pa marrëveshje ekziston frika se pasuesi i kryeministres May mund të përpiqet ta nxjerrë Britaninë e Madhe pa aprovimin e parlamentit.

Kandidati Boris Johnson dhe rivalë të shumtë të tij në garën për kreun e konservatorëve kanë deklaruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga BE në datën e caktuar, me apo pa një marrëveshje.

Të ngjashme