Limaj bënë homazhe në Prekaz: Vizita nuk është thjesht një veprim protokollar, por duhet të na shërbejë për të reflektuar

Prishtinë | 06 Mar 2026 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e ku tha se sjellja e përditshme karshi shtetit duhet të reflektojë sakrificën dhe respektin ndaj shtetit dhe se nuk mjafton vizita njëherë në vit, raporton Ekonomia Online.

“Sot, si çdo vit, në këtë muaj mars të lavdishëm, së bashku me bashkëpunëtorë, erdhëm për të nderuar jetën dhe veprën e familjes Jashari, komandantit legjendar, por të gjithë dëshmorëve të kombit, të cilët dhanë jetën për liri. Unë vazhdimisht bëj apel në këto përvjetore që vizita, nderimi dhe respekti për këta njerëz, heronj, që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, nuk është thjesht një veprim protokollar, por duhet të na shërbejë për të reflektuar e për të parë se sa shtrenjtë na ka kushtuar liria dhe ndërtimi i shtetit. Dhe sjellja jonë e përditshme në raport me shtetin dhe lirinë duhet të reflektojë sakrificën, respektin ndaj sakrificës, respektin ndaj gjakut të derdhur. Dhe ajo sjellje e jonë nderon për çdo ditë sakrificën e madhe të lirisë së Kosovës, komandantit legjendar dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Çfarëdo sjellje e papërgjegjshme në raport me shtetin nuk mjafton vizita një herë në vit, thjesht ka mbetur pastaj protokollare. Edhe një herë, besoj zhvillimet që po i shohim sot në botë po tregojnë se sa e lavdishme, sa e rëndësishme, çfarë momenti kyç ka qenë në historinë tonë kombëtare lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 98-99”, tha Limaj.

Të ngjashme