Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për konsensus politik në trajtimin e, siç tha ai, temave nacionale.
I pyetur për dialogun final me Serbinë, ai tha se Nisma është e interesuar për dialog gjithëpërfshirës në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës, raporton Ekonomia Online.
“Ne si parti jemi të përgjegjshëm në hapat që i bëjmë, reflektojmë pozitivitet dhe duam unitet. Politika kosovare do të dijë të përgatitet që të mos përsërit gabimet e së kaluarës. Nisma është e interesuar për dialog me fqinj e përtej fqinj. Ne presim që nuk do të përsëriten gabimet e së kaluarës, duam të shohim një konsensus sa më të gjerë”.
Këto komente Limaj i bëri në konferencën që mbajti sot e në të cilën bëri të ditur se më 24 qershor do të mbahet kuvendi qendror i punës.
Sipas tij, ky organizim ka ardhur si rezultat i “interesimit të gjithanshëm” për t’iu bashkuar Nismës Social Demokrate, raporton EO.
“Ne kemi filluar një proces të gjerë të konsolidimit të partisë për muaj të tërë. Sot është që të ju njoftojmë se nga tani fillojmë me kuvendet e punës me degët e partisë deri më datën 24 qershor ku do të mbahet kuvendi qendror i punës së Nismës Social Demokrate”.
“Vendimi i kryesisë për të shkuar drejt kuvendeve të punës ka qenë duke parë një zhvillim, një masivizim, një interesim të gjithanshëm për t’iu bashkuar frymës sonë social demokrate”.