Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj përmes një postimi në Facebook ka përkujtuar 20-vjetorin e masakrës së 25 marsit të vitit 1999 në fshatrat Celinë, Fortesë dhe Brestoc të Rahovecit. Ai ka shkruar se Delegacioni Shtetëror nuk do heq dorë deri sa të kërkohet drejtësia për viktimat e luftës.
“Ne si Qeveri, por edhe si Delegacion Shtetëror, nuk do të heqim asnjëherë dorë së kërkuari drejtësi për sa kohë që kryerësit e krimeve në Kosovë nuk e marrin dënimin e merituar”, shkruan Limaj.
Limaj ka shkruar se në këtë përvjetor kujton civilët e pafajshëm të moshave e gjinive të ndryshme, të vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe.
Ai ka shkruar se 20 vjet pas kësaj masakre, kryerësit e këtyre krimeve ende nuk kanë dalë para drejtësisë.