Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kujtuar 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të themeluar më 10 qershor 1878 nga delegatët e të gjitha krahinave shqiptare.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte lëvizja më e rëndësishme e shqiptarëve, e cila rizgjoi ndjenjën kombëtare për liri dhe emancipim”, ka shkruar lideri i Nismës, Fatmir Limaj, përmes një statusi të tij në rrjetin social “Facebook”.
Gjithashtu, Limaj tha se programi politik i Lidhjes, arriti që t’i artikulojë qartë ambiciet kombëtare për bashkimin e vilajeteve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtare.
Në fund të shkrimit të tij, Limaj nuk ka lënë pa kujtuar edhe ideologët dhe drejtuesit e Lidhjes Shqiptarë të Prizrenit; Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin dhe Sulejman Vokshin, për të cilët tha se janë edhe themeltarët e shtetit shqiptar.
Postimi i plotë i Limajt:
Sot shënohet 142 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lëvizjes më të rëndësishme të shqiptarëve, e cila rizgjoi ndjenjën kombëtare për liri dhe emancipim. Programi politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e themeluar më 10 qershor 1878 nga delegatët e të gjitha krahinave shqiptare, arriti që t’i artikulojë qartë ambiciet kombëtare për bashkimin e vilajeteve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar.
Ai program ndër dekada mbeti frymëzim i shumë lëvizjeve kombëtare, lëvizje këto që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në ketë ditë të veçantë të historisë sonë shqiptare, kujtojmë ideologët dhe drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin dhe Sulejman Vokshin, të cilët mbetën themeltarët e shtetit shqiptar.