Në kuadër të përpjekjeve të mëdha të SBASHK-ut që çështjet e ngritura të zgjidhen me dialog, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe menaxheri për financa e këshilltar për organizim të brendshëm Ymer Ymeri kanë pasur sot takime të ndara me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj dhe me ministrin e MASHT, Shyqiri Bytyqi, njofton kumtesa.
Sipas kumtesës Limaj i ka deklaruar delegacionit të SBASHK-ut se ai fuqishëm përkrah dërgimin sa më të shpejtë të Projektligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në Parlament sepse, si tha ai, mësimdhënësit e asaj kohe meritojnë respektin më të lartë pasi me mund e sakrifica kanë mbrojtur gjuhën shqipe dhe arsimin në tërësi në ato vite të vështira të Kosovës .
“Duhet ruajtur e respektuar personalitetin e mësuesit edhe sot e gjithmonë dhe atij i duhet mbështetja në përpjekjet për një arsim edhe më cilësor. Ne nuk do të veprojmë vetëm, po bashkë me SBASHK-un në të gjitha këto përpjekje “ , ka thënë Limaj.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë njoftuar Limajn për të gjitha shqetësimet duke treguar se ka tensione të ngritura të punëtorët e arsimit dhe se atyre iu drejtohemi me mesazhe mobilizimi dhe respekti për misionin e tyre të shenjtë në edukim.
Delegacioni i SBASHK-ut zhvilloi një takim pune po sot edhe me ministrin në MASHT, Shyqiri Bytyqi për të shpalosur me të gjitha çështjet dhe sfidat aktuale.
Bytyqi është shprehur se kupton angazhimet e SBASHK-ut në përpjekje që ngritja e pagave të mos jetë 4.6 %, por një rritje më e madhe duke shtuar se as ai e as Ministria që drejton nuk është kundër ndonjë rritje tjetër të mundshme, porse kjo varët nga mundësitë buxhetore dhe se nuk është në kompetencat e tij. Po ashtu ai është shprehur i bindur se Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës shumë shpejtë do të gjendet para deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Të dy palët janë shprehur se me angazhime të përbashkëta do të veprojnë në shërbim të arsimit dhe punëtorëve të këtij sektori të rëndësishëm për shtetin tonë.