Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk janë duke e kërkuar me ngulm marrëveshjen nëse nuk do të ketë vullnet pozitiv edhe nga Serbia për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo në dëm të interesave të Kosovës.
“Mos të keqkuptohet mesazhi që ne jemi duke pritur me padurim që të kemi marrëveshje me Serbinë dhe se s’kemi rrugë tjetër pa marrëveshje. Kurdo që janë të gatshëm. Kosova është shtet dhe po shkon drejt konsolidimit. Ne jemi të interesuar që të arrijmë marrëveshje për hir të vendit dhe të partnerëve tanë që na kanë ndihmuar me investime, prandaj ne ta luajmë rolin tonë konsultim dhe me ardhur deri te marrëveshja. Përndryshe ne nuk jemi duke e kërkuar me ngulm atë”.
Ai tha se nëse ndiqet kjo logjikë atëherë ajo që humbet më së shumti është Serbia dhe jo Kosova.
“Mungesa e një marrëveshje, mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia është më shumë humbje e Serbisë”.
Limaj shtoi se në çdo kapitull për t’u integruar Serbia në Europë është Kosova si dhe perspektiva e saj i hapet vetëm kur të ka marrëveshje me Kosovën.
“Nuk ka dilemë se me arritjen e marrëveshjes edhe ne fitojmë njohjet nga pesë vendet e BE-së, fitojmë hapjen e perspektivës europiane edhe neve na mundësohet të shkojmë drejt OKB-së, normalizimi mes dy vendeve si dhe investime ekonomike. Mirëpo kjo do të thotë se bëhet nëse ka vullnet pozitiv”.
Po ashtu Limaj dhe Ahmeti ritheksuan se do të donin që edhe LDK dhe VV të merrnin pjesë në përfaqësim të dialogut.