Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj është deklaruar pas takimit që ka pasur në Gjermani, me deputetin Johann Wadephul, deputet në Bundestag, nënkryetar i fraksionit CDU-CSU dhe raportues për Ballkanin Perëndimor.
Limaj në një konferencë për media, tha se në takim me deputetin Wadephul kanë biseduar rreth mbajtjes së Samitit të Berlinit, si dhe tema tjera të rëndësishme.
“Kemi biseduar rreth Samitit të Berlinit, dhe Samitit të Parisit që pritet të mbahet së shpejti, në takim kemi biseduar për tema më rëndësi siç është çështja e taksës, dialogut me Serbinë e tema të tjera. I sigurova edhe një herë në emër të Qeverisë që ne duam ta përmbyllim çështjen e dialogut me Serbinë.
Në Samitin e Berlinit janë larguar nga tavolina të gjitha idetë që nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit”, ka thënë Limaj para mediave, transmeton Telegrafi.
Limaj ka theksuar se angazhimi i Gjermanisë në dialogun Kosovë-Serbi, jep siguri.
Në fund, zëvendëskryeministri ka thënë se beson që shumë shpejt do të merr fund çështja e liberalizimit të vizave.
Limaj ka udhëtuar sot për në Gjermani, ai pritet të zhvillojë edhe takime tjera të rëndësishme.