Kosova do të respektohet si të gjitha shtetet e tjera dhe do të jap mesazhin se nuk do të ketë ndarje.
Kështu bënë të ditur Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, njëherësh bashkëkryesues i delegacionit kosovarë në dialogun Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Limaj tha se askush mos të pret nga Kosova, siç ka qenë më parë.
“Po qojmë mesazhe se ky vend do të respektohet si të gjithë të tjerët, në respekt të secilit shtet veç e veç, në respekt të komunikimit të bashkëpunimit me të tjerët, por jo ndarjen e Kosovës. Ky është mesazhi kryesore që këtë vit e qon Kosova, me veprimet që i kemi bërë mësoj”.
“Më vjen mirë që të tjerët kanë filluar ta kuptojnë kështu. Askush mos të pret nga Kosova, një Kosovë siç ka qenë deri tash që janë sillë me të si kanë dashtë vet. Ne nuk mund të pranojmë një gjë të tillë, besoj që kanë dalë disa gjëra të mira, posaçërisht Ushtria e Kosovës”, tha Limaj.
Limaj garanton se në Bruksel do të diskutohet çdo gjë në bazë të mandatit kushtetues të delegacionit.
Ai pohon se Delegacioni shtetërorë i Republikës së Kosovës e ka mandatin të dialogojë mbi bazën, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe rezolutën që e ka nxjerrë nga Kuvendi.
Por sa i përket temës së korrigjimit të kufirit, Limaj thotë se askush nuk do të ndalohet të ngritë tema, por sipas tij, detyra e ekipit dialogues është të shihet se a do të diskutohet ajo çështje apo jo.
“Ne askënd nuk mund të ndalojmë me ngritë tema, po flas çka ne bëjmë, cili është mandati ynë. Ne askë s’mund të ndalojmë me nxjerrë tema në tavolinë, detyra jonë është me pa, a do të ulem të flasim për atë temë dhe tema të ndryshme që vijnë. Ne kemi me pasë tema të ndryshme që ngritim, ndoshta Serbisë nuk i pëlqen me i ngritë dhe mund të mos pajtohet Serbia”.
“Çështja e negocimit dhe bisedimit është më ndryshe ngase e paraqesin njerëzit në opinion. Nuk jemi veç ne palë, jemi dy palë kemi çështje të hapura kemi një konflikt, kemi mos pajtime deri në masën e armiqësisë duke refuzuar njohjen e njëri-tjetrit. Mos kërkoni nga një delegacion shtetërorë, i cili ka një mandat të përkufizuar qartë, funksionojmë sipas Kushtetutës, rezolutës”, tha Limaj për Ekonomia Online.
Menjëherë pas miratimit të delegacionit në Kuvendin e Kosovës, kanë filluar takimet e para koordinuese dhe me ambasadorët e QUINT-it dhe formimi i komisionit brenda delegacionit për të përgatitur draft-platformën për bisedimet.
Në lidhje me këto takime, Limaj thotë se jemi në fazën e parë të grumbullimit të dokumentacioneve për të parë se ku ndodhet Kosova në procesin e dialogut.
Limaj bënë të ditur se nga Qeveria e Kosovës dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi janë kërkuar dokumentacionet përkatëse. Ky i fundit sipas Limajt, ka shprehur gatishmërinë për dorëzimin e të gjitha dokumenteve.
“Delegacioni ka filluar me punën tij, kemi marrë edhe dokumentacione të gjitha që janë në Qeverinë e Kosovës, nga e kaluara që është biseduar në raport me Serbinë. Kemi kërkuar nga presidenti gjithashtu nga atë çfarë e ka dokumentacionin që ka rreth dialogut që është biseduar në Bruksel, t’ia ofrojë delegacionit”.
“Ne jemi duke analizuar, ende nuk i kemi marrë dokumentet nga presidenti me dhënë dokumentacionin, ato që i ka në zyrën e tij. Më pastaj do t’i analizojmë. Por detyrë e jona është unifikimi qëndrimit të faktorit të Kosovës. Kosova duhet të fletë një qëndrim unik dhe ta ketë një qëndrim unik në raport me Serbinë. Kjo punë që do ta bëjmë tani e tutje në ditët në vijim”, u shpreh Limaj.
Në dhjetë ditësh e parë të vitit 2019 do të jetë një takim në Bruksel, ku zëvendëskryeministri Limaj, pohon se do të jetë takim vetëm me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian.
Ai përmend pikat kyçe që Kosova ka synim në këtë proces të dialogut, raporton EO.
“Së pari do të jetë një takim njoftues ne do të paraqesim përkushtimin tonë për dialog, do të paraqesim idetë ne si e shohim këtë dialog që do të fillojë dhe epilogun e këtij dialogu. Besoj që dialogu ka kuptim nëse shkojmë një marrëveshje finale detyruese siç është thënë e cila në zemrën e saj e ka njohjen e Republikës së Kosovës, njohjen reciproke Kosovë-Serbi, anëtarësimin e Kosovës në OKB, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që se kanë njohur Kosovën”.
“…pastaj ka edhe tema të tjera, të pagjeturi, çështjet ekonomike dhe qindra tema që ne duhet të bisedojmë. Duhet të jetë pjesë e përbërëse e asaj marrëveshje finale”, tha Limaj.
Limaj për Ekonomia Online bën të ditur se janë rreth 10 tema të tjera të cilat veçse kanë filluar të përzgjidhen për bisedimet me Serbinë, që kanë të bëjnë me dëmet e luftës, të pagjeturit, çështje historike, kulturore, etj.
“Besoj që mundet shumë, ajo çka duhet është të inkorporohen të gjitha institucionet tona ekonomike, shkencore, institutet e ndryshme. Ne kemi nevojë jo vetëm si përfaqësues politik por kemi nevojë që pjesë e kontributit angazhimit e komisionit përkatës të jenë edhe akademia edhe institutet e ndryshme, edhe ato për çështje ekonomike edhe për çështje historike e kulturore, të gjitha duhet të jenë të inkorporuar në komisionet përkatëse që profesionalisht do t’i kryejnë punët e saj”, tha ai.
Por mbledhja e fakteve dhe dokumenteve sipas Limajt, kërkon kohë.
“Disa punë janë kryer, disa tema janë goxha mirë, do materiale janë, neve çka na duhet është unifikimi, bashkimi i atyre materialeve, ngritja e temave. Kosova ka nevojë një lloj barazimi me pas me Serbinë”, tha ai.
Limaj shtoi se si delegacion nuk përfaqësojnë partitë politike, por shtetin e Kosovës. Sipas tij, do të përfaqësohet edhe Parlamenti i Kosovës dhe interesat shtetërore.