Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përsëritur para të rinjve në Lipjan, se duhet t’u drejtohen edhe zanateve, duke thënë se do ta kenë mbështetjen e Nismës për këtë.
Limaj ka ftuar rininë e Lipjanit që t’u bashkohen për një Kosovë më të mirë, duke u thënë se jashtë Kosovës nuk i pret askush me lule në dorë, raporton Ekonomia Online.
“Ajo që po du është si me mobilizu këtë rini të Kosovës e me pasë ëndërr të përbashkët të investojnë. Nëse ne kemi pasë ëndërr lirinë dhe kemi investu për këtë, a bënë iu me kthy dhe me vendosë në veten e juaj, që ne po do ta ndërtojmë Kosovën, a ka mundësi secili të thotë çka bëj unë për familjen, jo për Kosovën. Nga ne është kërku sakrificë maksimale, nga ju nuk kërkohet”.
Limaj u tha të rinjve se nuk bën të heqin dorë lehtë nga vendi i tyre, raporton EO.
“Hajde të ngritemi bashkë në këmbë, të vendosim t’i ndihmojmë vetes sonë. Nuk bënë me hekë dorë prej vendit tonë kaq kallaj. Nuk ka si vendi yt. E di që jeni lodhë. Nëse mendoni se atje ju presim me lule, atje keni me e thy shpinën”.
Ai i ftoi rininë lipjanase të aktivizohen në jetën publike.
“Ne duam që sot në Lipjan t’iu ftojmë që të aktivizoheni në jetën publike, në jetën aktive publike. Të jetë në kontributin tuaj, në lagjen, fshatin tuaj përmes organizimit të politikës siç e kemi ne, që kështu të ndihmoni strukturat, veten tuaj dhe neve për t’i arritur qëllimet që i kemi”.
Sipas Limajt, të rinjtë nuk duhet ta marrin obligim përfundimin e fakultetit.
“Ftesa ime është mos e merrni obligim me kry fakultet nëse nuk ju pëlqen, nuk është marre me thënë nuk më shkon me lexu libra, kjo është normale, nuk është mirë me thënë nuk jam më tepër se në shkollën e mesme, shkoni në zanat”.
Ai u ka thënë se asnjë punë nuk është marre të bëhet, veçse duhet të punojnë, pasi, sipas tij, një 25-vjeçar nuk mund të jetojë nën të ardhurat e prindërve.
“Djem asnjë punë nuk është marre me e bë. Nuk ka gjë më të mirë për nënën e babën se lodhja nga djali a vajza. Nuk ka punë me marre. Marre është me nejtë, marre është me i bë 25 vjet e me lyp prej babës. Hajde të çohemi në këmbë të bëjmë diçka për veten, për familjet”.