Lëvizja Fol ka organizuar diskutimin e pestë dhe të fundit në kuadër të Forumit “Fol Hapur”, me kandidatë për kryeministër.
Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka folur për prioritetet e tij për qeverisjen e ardhshme, e cila sipas tij do të jetë reformatore, raporton EkonomiaOnline.
Limaj ka theksuar se prioriteti kryesor i tij është dialogu me Serbinë dhe integrimi i Kosovës në BE.
Poashtu Limaj ka thënë se ekonomia e shtetit mund të zhvillohet nëse i jepet prioritet bujqësisë.
“Është një mundësi e mirë për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Ka ardhur një moment ndoshta edhe i vonuar që Kosova të jetë me një qeveri reformatore. Funksionimi dhe ambiciet e vendit janë duke u rritur deri tek obligimeve tonë drejt integrimit të vendit. Kam disa prioritet, kryesori është dialogu dhe politika e jashtme, pastaj bujqësia për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe mundësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Limaj.
Limaj ka deklaruar se një ndër prioritetet tjera të tij janë paketat sociale, siç janë shtesat e fëmijëve, dhe periudha e lehonisë.
“Paketat sociale, duke bërë pune të jashtëzakonshme dhe ende e kemi një angazhim permanent. Shtesat e fëmijëve, qoftë ata që punojnë apo nuk punojnë. Duhet të trajtohet seriozisht. Sigurimi social të cilin e kemi obligim. Pjesa e lehonisë, gratë meritojnë kujdesin për rritjen e fëmijëve”, tha Limaj.
Më tej, Limaj ka bërë të ditur se në qeverisjen e tij do të bëhen sigurimet shëndetësore, pasi siç tha ai nuk mund të ketë shëndetësi të mirë nëse nuk kemi sigurime shëndetësore.
Ndër të tjera, Limaj ka përmendur edhe reforma në drejtësi, e cila sic tha ai do të bëhet përmes ligjit.
“Sigurimet shëndetësore, nuk mund te kemi një shëndetësi të mirë nëse nuk kemi sigurime shëndetësore. Duhet të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendlindjes dhe diasporës. Ka njerëz punëtor me biznese të suksesshme, prandaj biznesi ynë ose shqiptaret atje të kthehen në bashkëpunim me prodhimet kosovare. Reforma në drejtësi, është një prioritet tjetër, ku duke respektuar reformën e drejtësisë nga Prokurori e deri tek një gjyqtar për matjen e performancës e cila mund të bëhet përmes ligjit”, ka thënë Limaj.
Limaj ka deklaruar se Kosova duhet ta përmbyllë çështjen me Serbinë për të pasur siguri në investimet nga jashtë, raporton Ekonomia Online.
Limaj theksoi se qeverisja e ardhshme e udhëhequr nga ai do ta zhbllokojë dialogun me Serbinë.
Limaj ka folur edhe për taksën ndaj Serbisë, për të cilën tha ai se duhet të ketë një negociatat që të zhvillohet dialogu.
“Një zhvillim çfarë e presim ekonomik nuk ka me pasur në Kosovë. Këto investime direkte janë për me e rritë GDP-në. Nuk ka kaluar asnjë vend këtë që ka kaluar Kosova. Për te ardhur investime nga jashtë duhet siguri, e kjo duhet të përmbyllim çështjen me Serbinë”.
“Në tavolinën e time do të jetë zhbllokimi i dialogut me Serbinë. Të mos kthehemi në situatën qe kemi qenë. Të tregojmë seriozitetin tonë, që ne jemi të gatshëm. Kur është ngritur taksa është ngritur zhvillimi ekonomik i vendit. Duhet të kemi një negociatë me taksën për tu zhvilluar dialogu”, tha Limaj.
Limaj ka thënë se Serbia po ia vështirëson Kosovës anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Për shkak vështirësive që na jep Serbia dhe mos njohja nga 5 shtetet Kosova nuk mund të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Nuk flas për çështjet çoroditëse qe janë folur deri me sot po flas me seriozitet”, tha ai.
Limaj ka deklaruar se do të investojë 500 milionë euro në bujqësi për të hapur mundësi të reja punësimi.
“Qeveria e ardhshme do të investoj 500 milionë euro në Bujqësi, Kosova ka mundësi me liru fonde. Rritja e produkteve e prodhimit. Kemi mundësi të mëdha për të rigjeneruar mundësi të punësimit. Prej mbjelljes e deri tek përfundimi. Nuk do të ketë partneritet pa i plotësuar këto prioritete. Qeveria Reformatore do të formohet, nëse dikush nuk pajtohet atëherë nuk do të jem kryeministër”, tha ai, raporton EO.
Limaj ka folur edhe për komunitetin LGBT për të cilin tha ai se qeveria e tij do ta mbështes plotësisht.
“Mbështetjen e plotë për LGBT për një shoqëri të lirë e te pavarur, jo vetëm për këtë komunitet por për të gjitha komunitetet”, tha ai.