Limaj viziton kompaninë “Frutex”, e quan storje suksesi

Prishtinë | 03 Nën 2016 | 18:57 | Nga

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, me zyrtarë të tjerë të kësaj partie, kanë vizituar kompaninë e mirënjohur për prodhimin e pijeve energjike dhe joalkoolike “Frutex” në Novakë të Suharekës, ku janë njohur për së afërmi me funksionimin dhe vështirësitë e saj gjatë punës.

Limaj shoqërohej nga kryetari i degës së këtij subjekti në Suharekë, Sami Hajdaraj; ai i degës në Prizren, Zafir Berisha; anëtarë të kryesisë qendrore, deputetë të Nismës dhe drejtues të degëve të Suharekës dhe Prizrenit. Sipas një njoftimi shtypi, kjo vizitë është në vazhdën e vizitave që Nisma është duke iu bërë bizneseve në vend.

Fatmir Limaj ka thënë se “Frutex” është ndër kompanitë më të dalluarat në rajon për prodhime cilësore. “Përkundër vështirësive të ndryshme ajo është një storie e suksesit ndër të rrallat në vendin tonë, falë angazhimit të pronarëve të cilët kanë arritur që prodhimet e tyre t’i eksportojnë në shumë vende”.

“Kemi ardhur për të ofruar mbështetje për kërkesat reale që ka kjo kompani, për përmirësim të kushteve të funksionimit të saj, por edhe të prodhuesve të tjerë në vend”.

Drejtori i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, falënderoi Limaj dhe zyrtarët e tjerë të Nismës për vizitën, duke e vlerësuar shumë të rëndësishme. Palushi i informoi ata për funksionimin e kësaj kompanie dhe vështirësitë që kanë të bëjnë me pabarazinë në raport me prodhuesit vendës, siç janë problemet me furnizim me energji elektrike dhe taksat doganore.

Nisma për Kosovën, nëpërmes një njoftimi shtypi, thekson se qëllimi i tyre është të thellojnë sa më shumë komunikimin me bizneset, duke e parë si një mundësi të mirë për t’u njohur më afër me problemet dhe kërkesat që kanë ato.
img_8605

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme