Restaurimi dhe rehabilitimi i katër objekteve të trashëgimisë kulturore, u realizua me financim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga projekti i UNDP-së “Ndërtimi i besueshmërisë nëpërmjet mbrojtjes kulturore në Kosovë” dhe u përuruan sot, në praninë e mbi 100 njerëzve duke përfshirë zyrtarë komunalë, udhëheqës fetarë, dhe qytetarët të komunës së Lipjanit.
Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit përshëndeti të gjithë mysafirët duke theksuar se këto të arritura janë rezultat i punës së përbashkët që mblodhi rreth vetes qytetarët dhe bashkësitë fetare. “Ky është projekti më i mirë i këtij viti jo në aspektin e financimit, por në aspektin e ndërtimit të besimit mes komuniteteve në këtë qytet”, u shpreh Ahmeti.
Libor Chlad, zëvendësshef i seksionit të bashkëpunimit, zyra e BE-së në Kosovë, tha: “Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është e kënaqur me partneritetin e vazhdueshëm dhe të fuqishëm me komunën e Lipjanit dhe komunitetet e saj multi-etnike dhe fetare, që rezultoi në përfundimin e punëve në rehabilitimit e katër objekteve të trashëgimisë kulturore në komunë. Ne shpresojmë që ky partneritet do të forcohet dhe zhvillohet në të ardhmen me qëllim të përbashkët të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë së shumëllojshme kulturore të Kosovës. ”
Në emër të UNDP-së, Valbona Bogujevci, koordinatore e programit, tha se përveç mbështetjes për projektet e infrastrukturës, UNDP dhe BE, janë po ashtu janë duke mbështetur komunat në krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e vazhdueshme të trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e dialogut dhe procesit të konsultimit me të gjitha komunitetet. “Projekti gjithashtu ka një komponentë të fuqishme për angazhimin e komunitetit ku të rinjtë nga të gjitha komunitetet kanë marrë pjesë në seminaret e ri-imagjinimit të trashëgimisë kulturore për të hartuar zgjidhjet e tyre për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të përbashkët”, theksoi Bogujevci.
Në emër të Bashkësisë Islame në Lipjan, Xhevdet Bytyqi, ftoi mysafirët të ndajnë vlerat e përbashkëta duke deklaruar se “në të gjitha objektet fetare, duke përfshirë kishat dhe xhamitë gjithmonë mund të haset në vlera si respekti, harmonia dhe besimi mes komuniteteve të ndryshme”.
Në emër të kishës ortodokse serbe në Lipjan, prifti Srgjan Stankoviq theksoi se “Arritjet në fusha të tjera vijnë e shkojnë, por trashëgimia kulturore mbetet përgjithmonë për brezat e ardhshëm”. Prifti Stankoviq ftoi brezin e ri që të vazhdojë të përfshihet në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Pas ceremonisë në bibliotekë, të ftuarit gjithashtu vizituan dhe panë rregullimet në oborrin e xhamisë së qytetit Mulla Sherif Ahmeti, renovimin e kishës ortodokse serbe, Shën Flori dhe Lauri dhe gardhin e rindërtuar që radhitet në trashëgimi kulturore. Vendet e tjera të restauruara në Lipjan janë rregullimi i varrezave myslimane të qytetit dhe renovimi i kapelës në varrezat ortodokse serbe.
Projekti “Ndërtimi i besimit përmes mbrojtjes kulturore” përqendrohet në rinovimin, zbukurimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe njësinë e Policisë së Kosovës për sigurimin e ndërtesave dhe trashëgimisë kulturore. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e tolerancës ndëretnike dhe respektin për identitetin kulturor dhe të trashëgimisë.