Hidrologu Bashkim Kastrati në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se pas reshjeve të fundit në Kosovë, liqenet më të mëdha si ai i Badocit e Batllavës kanë arritur kuotat e tyre maksimale të ujit.
Kastrati konstaton se si shkak i këtyre reshjeve gjatë verës qytetarët nuk do të kenë problem të furnizimit me ujë të pijes.
“Pas këtyre reshjeve ne po e shohim që akumulacionet gjegjësisht Badoci dhe Batllava si resurse kryesore ujore që e furnizojnë Prishtinën dhe qytetet tjera të pjesës qendrore të Kosovës janë thuajse në kuotat e tyre maksimale gjegjësisht tendencat janë që ato akoma të mbushën sidomos kjo është për Liqenin e Badovcit dhe duke pasur parasysh që edhe gjatë ditëve në vijim do të ketë reshje dhe ne jemi në stinën e dimrit dhe e dimë që stina e pranverës sjellë akoma reshje kështu që mendojmë që me këto sasi që kanë rënë deri tani ne pa asnjë problem do të tejkalojmë vështirësitë gjatë verës”.
“Natyrisht është çështje e kompanive të ujësjellësve rajonal. Ato e kanë planin e tyre menaxhues dhe gjithmonë edhe ne si konsumatorë duhet të kemi kujdes në kursim të ujit”, është shprehur ai.
Sipas Kastrati ka tre vjet që Kosova ballafaqohet me thatësi gjatë verës dhe reshjet e muajit janar janë pozitive.
“Përveç anëve negative të cilat janë shkaktuar prej këtyre reshjeve gjatë muajit janar, pra fillimit vitit 2021 ato kanë edhe anët pozitive sepse ne që 3 vjet kemi trashëguar një gjendje hidrologjike të thatë ku ajo është manifestuar me zbrazje të akumulacioneve ujore, rezervarëve ujor prej të cilëve furnizohen qytetet kryesore, ose popullsia e Kosovës, sidomos ajo e Rrafshit të Kosovës”.
Kastrati ka shtuar se këto prognoza bazohen në informacione paraprake të historisë së reshjeve, raporton EO.
“Prognozat afatgjate në meteorologji e hidrometeorologji janë jashtëzakonisht vështirë të parashikueshme dhe institucionet më të fuqishme ndërkombëtare nuk e bëjnë një gjë të tillë edhe pse mund të ketë analiza e studime që mbështeten në informacione parapake sepse një ngjarje nuk ndodhë vetvetiu, ajo e ka një histori dhe në bazë të këtyre mund të parashikohen, por prognozat bëhen në kohën afat mesme e afatshkurtër”, ka thënë ai, për EO.