Liria do të vazhdojë të mbetet në pozitën e tretë, por në ndeshjen e dytë rresht ka lëshuar rast të madh që të përfshihet më fuqishëm në garën për titull të kampionit në Vala Superligën e Kosovës në futboll, shkruan sot Koha Ditore.
Pasi në xhiron e kaluar barazoi 2:2 në shtëpi me Besën e Pejës, skuadra prizrenase të premten luajti pa gola me Vllazninë e Pozheranit në takimin e luajtur në stadiumin e qytetit në Gjilan. Ishte kjo ndeshja hapëse e javës së 26-të të kampionatit të Kosovës.
Me pikën e fituar nga barazimi i së premtes, Liria i bën 43 pikë. Prin Drita me 47 pikë, ndërsa Prishtina është e dyta me 44 pikë.
Distanca e tyre me Lirinë mund të rritet pasi nuk i kanë luajtur ende ndeshjet e javës së 26-të. Pas Lirisë janë plot katër skuadra që i kanë nga 39 pikë.