Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e Shtatë Zgjedhor, ku 346 delegatet kanë zgjedhur strukturat e reja drejtuese si dhe kryetaren e FG të LDK-së.
Delegatet e pranishme kanë zgjedhur Këshillin e Përgjithshëm si dhe i kanë dhënë besimin për një mandat të ri 4 vjeçar në krye të FG të LDK-së, kryetares së deritashme, Lirije Kajtazi.
Të pranishëm në pjesën hyrëse të Kuvendit ishin kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa, si dhe mbi 500 mysafirë nga Kosova, si dhe të ftuar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova Lindore.
Punimet e Kuvendit i kanë përshëndetur kryetari Mustafa, kryetarja e FG të LDK-së, Lirije Kajtazi, si dhe përfaqësueset e forumeve të grave të partive politike nga rajoni.
Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi rolin historik të Forumit të Gruas të LDK-së për Kosovën dhe për LDK-në gjatë dekadave të saj të ekzistimit.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për qeverisjen aktuale të vendit, ku LDK-ja po luan një rol shumë përgjegjës për vendin.
“Është një rol i rëndë, në një situatë shumë delikate dhe të ngarkuar me probleme e pakënaqësi. Por është një shans dhe përgjegjësi që t’i ndihmojmë vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin për të ndjekur rrugët më të mira të bashkëpunimit me qytetarin, me anëtarët e LDK-së dhe me miqtë ndërkombëtar.
Më tutje, ai ka folur për rezultatet e mëdha të koalicionit qeveritar, përkundër kundërshtimeve shpeshherë të dhunshme me të cilat është ballafaquar.
Në këtë aspekt, kryeministri përmendi vetëm disa nga dhjetëra sukseset e mëdha që janë arritur siç janë nënshkrimi i MSA-së dhe marrëveshjes për qasje në programet e BE-së, plotësimi i kritereve dhe marrja e rekomandimit për liberalizim të vizave, stabilizimi dhe zhvillimi makroekonomik, arritja e normës më të lartë të rritjes ekonomike në regjion dhe në Evropë, reformimi i sistemit fiskal, avancimet e mëdha në ambientin e bërjes së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja, ulja e ndjeshme e papunësisë dhe e varfërisë, rritja e pensioneve kontributdhënëse, stabilizimi i Buxhetit të vendit…
Duke folur për Forumin e Gruas së LDK-së, Mustafa, duke iu referuar edhe fjalëve të presidentit historik, Ibrahim Rugova, tha se ky Forum i sjellë më së miri në shprehje vlerat e vërteta të LDK-së, duke theksuar gëzimin që në këtë proces zgjedhor, FG i LDK-së ka tubuar në radhët e saj më shumë vajza e gra sesa kurdoherë tjetër.
“Me ju, Lidhja Demokratike i ka vlerat e saj të vërteta. Me ju në LDK i presim të sigurt fitoret në zgjedhjet lokale në vitin e ardhshëm dhe në zgjedhjet nacionale në vitin 2018. Me gra kryetare të komunave, me më shumë gra në asambletë komunale dhe me më shumë gra deputete dhe qeveritare. Kjo duhet të jetë pasqyrë e përkushtimit tonë për Kosovën demokratike dhe proseperuese”, tha kryetari Mustafa.