Lirohen të gjithë 36 të akuzuarit në rastin “Stenta 2 “

Prishtinë | 20 Sht 2023 | 13:22 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për lirimin e të gjithë 36 të akuzuarve në rastin “Stenta 2” në mungesë të provave për pikat e aktakuzës nga Prokuroria Speciale.

Sipas Gjykatës, pas administrimit të të gjitha provave dhe analizimit të secilës prej tyre veç e veç dhe në ndërlidhje me njëra-tjetrën dhe mbrojtjen e të akuzuarve, po ashtu edhe pas paraqitjes së pretendimeve përmbyllese, gjykata ka vlerësuar se veprimet gjatë periudhës së cekur nuk evidentojnë fakte vendimtare që lidhen me kualifikimin e veprës penale siç kanë qenë të akuzuar 36 persona në këtë rast.

Sa i përket veprës penale që ka të bëjë me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, Prokuroria ka pretenduar në dëm ndaj buxhetit të Kosovës në 4 milionë e gjysmë, ndërsa Gjykata tha se nuk ka arritur të vërtetojë një gjë të tillë. Madje sipas gjykatës, ekspertiza financiare ka treguar se dëmi material pretendohet të jetë 11 mijë e 430 euro

Gjykata në këtë rast nuk i ka gjetur fajtorë të akuzuarit.

“Gjykata s’ka mundur të vërtetojë qoftë edhe veprime indivduale që kanë shkaktuar këtë dëm material, a i kanë shkaktuar këta të akuzuar këtë dëm, cili veprim veç e veç ka shkaktuar dëmin dhe në çfarë vlere dhe nuk është vërtetuar kundërligjshmëria e të akuzuarve dhe të njëjtit kanë dhënë mendime profesionale për trajtim jashtë institucionit shëndetësor dhe nuk kanë marrë vendim se çfarë shuma mjetesh, cilat raste duhet të aprovohen, cilat raste duhet të mbështeten financiarisht, për shkak se këtë detyrë nuk e kanë pasur.”, tha gjykata.

Sa i përket veprës penale të ryshfetit, gjykata nuk ka arritur të vërtetojë poashtu se ndonjëri prej të akuzuarve ka pranuar ryshfet edhe pas administrimit të provave të shumta.

Sipas aktgjykimit, 36 të akuzuarit: Gani Bajraktari, Afërdita Selmanaj, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli, lirohen nga akuza pasi nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri.

Po ashtu, për të akuzuarin Daut Gorani, në seancën 16 gushtit 2023, u veçua procedura për arsye shëndetësore.

Kurse, për të akuzuarin S.Gj. dhe R.E ka pushuar procedura penale, pasi të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, (pa të akuzuarit që iu veçua procesura) u përballën 36 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Afërdia Selmanaj, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Agani dhe Shabani, më 1 gusht 2022 ishin liruar nga akuza, e këtë vendim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, PSRK-ja i ngarkonte me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendonte se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro, e cila vlerë e dëmit ishte ndryshuar nga prokurorja speciale Florije Shamolli, në fjalën përfundimtare në 11 mijë e 430 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkonte mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Në ndërkohë, Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. 

Të ngjashme