Lirohet nga akuza ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqri Haxha

Prishtinë | 03 Mar 2023 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Shyqri Haxha është liruar nga akuza se kishte lidhur kontratë të dëmshme sa ishte kryeshef i Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Aktgjykimi lirues është shpallur të premten nga gjyqtari Sabit Sadikaj në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Gjykata në këtë përfundim ka ardhur pasi që duke u bazuar në Ligjin për Prokurim Publik me nr. 2003/17 i vitit 2008, i cili ka qenë në fuqi në kohën e lidhjes se kontratës, me nënshkrimin nga zyrtari i prokurimit të PTK-se dhe përfaqësuesi i “Amdocs” kontrata hynte ne fuqi ndërsa nënshkrimi nga kryeshefi Shyqri Haxha nuk kishte kurrfarë detyrimi per PTK-në”.

Pala e dëmtuar, Posta dhe Telekomi i Kosovës për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në konteste të rregullt juridiko-civil.

Pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, palët kanë të drejtë ankesa brenda 30 ditë përmes kësaj gjykatë në Gjykatën e Apelit.

Në seancën e fundit, në fjalën përfundimtare, i akuzuari  Haxha kishte deklaruar se ndaj tij është bërë përndjekje politike pa asnjë shkelje.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari- Qeveria e Republikës së Kosovës, më 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin “PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2”, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të sigurojë aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme