Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga paraburgimi pronarin e kompanisë “Bubeari Komerce”, Naser Gurin i cili prej më shumë se dy muajsh gjendej në paraburgim si i dyshuar për prodhim pa licencë të gazit oksidul N20 me të cilin furnizohej QKUK-ja, e që dyshohet se ka qenë shkaktari i vdekjes e tre pacientëve.
Pronari i kompanisë ‘Bubeari KOMERCE’ më seli në Kaçanik, Naser Guri, është liruar nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës, pas më shumë se dy muajve paraburgim. Ai dyshohet për prodhim pa licencë të gazit oksidul (N20), me të cilin furnizohej QKUK’ja, e si pasojë e të cilit dyshohet se tre pacientë të QKUK’së gjatë shtatorit të kaluar kanë ndërruar jetë.
Guri është liruar në dorëzani, si dhe ka deponuar në xhirollogarinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë 30 mijë euro, para këto të cilat ia kanë mundësuar atij të gjykohet në liri.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express mbrojtësi i Naser Gurit, avokati Bajram Tmava.
“Po, Naseri është liruar nga paraburgimi. Për t’u siguruar prezenca e tij në procedurën penale, është deponuar dorëzania prej 30 mijë eurosh dhe tani klienti është i lirë”, ka thënë Tmava për Express.
Avokati është shprehur se rezultatet e Autopsisë së Mjekësisë Ligjore në Prishtinë nuk kanë vërtetuar se vdekjet e tre pacientëve në QKUK gjatë muajit shtator kanë ardhur si pasojë e gazit oksidul N20, gaz ky me të cilin e furnizonte kompania e Gurit në QKUK-në.
“Sa i përket autopsisë nga Mjekësia Ligjore në Prishtinë, ajo nuk e ka vërtetuar që vdekjet janë pasojë e gazit. Prandaj është kërkuar që analizat e gjakut të dërgohen jashtë vendit”, ka thënë Tmava.
Kompania e Gurit në Kaçanik, “Bubeari Komerc”, prodhonte pa licencë gazin oksidul, i cili deri më tani dyshohet të jetë shkaku i vdekjes së tre pacientëve. Prokuroria ka marrë disa mostra të këtij gazi nga QKUK-ja për t’i kryer analizat, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.
Po ashtu, janë duke u zvarritur edhe analizat e obduksionit të tre trupave të pacientëve të vdekur.
Nga QKUK-ja dhe të gjitha spitalet regjionale në Kosovë, është hequr nga përdorimi gazi oksidul, i prodhuar nga kompania ‘Bubeari’. Tenderin për furnizim me këtë lloj gazi e ka fituar kompania ‘’Medica”, e cila e ka selinë në Prishtinë.