Pas një muaji në paraburgim autoritetet serbe e kanë liruar të martën nënkolonelin e Policisë së Kosovës dhe komandantin e Rajonit të Mitrovicës Nehat Thaqin.
Ai ishte arrestuar më 29 shtator, nën akuzat për “Terrorizëm”, të ngritur shumë vite më parë nga “drejtësia” serbe. I pari lajmin e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Ai në një prononcim për gazetën “Zëri” ka konfirmuar lirimin e tij duke thënë se Thaqi shumë shpejt do të kthehet në Kosovë.
“Sapo më është konfirmuar zyrtarisht lirimi i nënkolonel Thaqit. Ai shumë shpejt do t’i bashkohet familjes në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.
Nënkoloneli i Policisë kosovare shumë shpejt pritet t’u dorëzohet autoriteteve vendore pranë zyrës ndërlidhëse në Beograd e më pas të niset për në Kosovë.
Lirimin e Nehat Thaqit analistët e shohin si lajm të mirë, por që diplomacia kosovare mbetet të punojë më shumë rreth rasteve të tjera. Ata gjithashtu konsiderojnë se marrëdhëniet Kosovë – Serbi janë ende të tensionuara pasi që ka edhe arrestime të tjera.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se Kosova në muajt e fundit u karakterizua me probleme që u sollën nga Serbia ndaj arrestimeve të zyrtarëve policorë të Kosovës.
Islami thotë se këto arrestime janë totalisht politike. Ai më tej thotë se reciprociteti nga ana e Kosovës do të duhet të zbatohej nga pala kosovare.
“Muajt që i lamë pas po karakterizohen me marrëdhënie jostabile mes Serbisë dhe Kosovës qëkur janë nisur bisedimet me këtë shtet. Ai (Thaqi) u arrestua për hakmarrje politike. Lirimi i tij është një lajm i mirë, por që duhet ende punë për të bërë sepse nuk guxohet të ndodhin më arrestime të tilla. Kosova duhet të fillojë me një reciprocitet të njëjtë, pse jo”, thotë Islami.