Lisbonë: Osmani flet në samitin më të madh në botë të teknologjisë informative

Prishtinë | 16 Nën 2023 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qëndruar për vizitë njëditore zyrtare në Portugali, i është adresuar pjesëmarrësve në Samitin më të madh në botë të teknologjisë informative, i cili po mbahet në Lisbonë.

Para përfaqësuesve të më se 160 shteteve, Osmani ka folur për rëndësinë e sektorit të ICT-së, barazisë gjinore, etikës dhe gjithëpërfshirjes.

“Po aq sa është e rëndësishme etika për sektorin e teknologjisë informative, e cila po zhvillohet me ritëm të shpejtë, ne nuk duhet t`i harrojmë paragjykimet në rritje në këtë fushë. Prandaj, diversiteti dhe gjithëpërfshirja në zhvillimin e teknologjisë informative duhet të jenë imperativ i kohës sonë”, ka theksuar Osmani.

Sipas saj, sektori i teknologjisë informative është jo vetëm mundësi e fuqizimit ekonomik, por edhe katalizator për transformimin e shoqërisë.

Ndryshe, Samiti i Lisbonës është më i madhi në botë në fushën e teknologjisë informative, ndërkohë që në këtë edicion ka mbledhur afro 160 shtete dhe mbi 70-mijë pjesëmarrës.


Të ngjashme