Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar deputetët të “mbajnë anën e të ardhmes, anën e të vërtetës, jo të kauzave politike të sajuara që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e vendit”.
Në rrjetin social, Lladrovci ka thënë se “mospajtimet mund të sqarohen, sipas propozimeve të ofruara në Kuvend. Ka kohë për to! Demarkacioni, duhet të kalojë. Besimi ynë në qëllimet tona, kurrë nuk duhet të vihet në dyshim, përkundrazi, çdo ditë do të fuqizohet duke i kontribuar zhvillimit të vendit dhe hapjes së perspektivës për të qytetarët tanë. Kështu fuqizojmë edhe besimin e ndërsjellë me partnerët tanë që na ndihmuan në momentet më të rënda të kombit tonë, kur ishim buzë shfarosjes”.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
“Deputetët e Republikës së Kosovës, sot, më shumë se kurrë, duhet të mbajnë anën e të ardhmes, anën e të vërtetës, jo të kauzave politike të sajuara që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e vendit.
Mospajtimet mund të sqarohen, sipas propozimeve të ofruara në Kuvend. Ka kohë për to! Demarkacioni, duhet të kalojë.
Besimi ynë në qëllimet tona, kurrë nuk duhet të vihet në dyshim, përkundrazi, çdo ditë do të fuqizohet duke i kontribuar zhvillimit të vendit dhe hapjes së perspektivës për të qytetarët tanë.
Kështu fuqizojmë edhe besimin e ndërsjellë me partnerët tanë që na ndihmuan në momentet më të rënda të kombit tonë, kur ishim buzë shfarosjes.
Secili nga ne e di se gjithandej, shteti ynë kufizohet me shqiptarë.
Historia ishte e padrejtë, por sot, ne me votën e deputetëve, do t’i japim elementin thelbësor shtetësisë tonë, përcaktimin e sovranitetit.
Ankesa për padrejtësitë, për një shekull okupim, nuk kemi mundësi tash t’i korrigjojmë. As vendimet e fuqive të mëdha, dje.
Kam besim se deputetët do të marrin vendim të drejtë dhe t’i japin vendit perspektivë!”