Kandidati për kryetar të Drenasit nga Partia Demokratike e Kosovës, Ramiz Lladrovci, e ka sqaruar situatën e djeshme, kur ai dhe AKR-ja kishin rezervuar të njëjtin vend për tu takuar me qytetarët.
Lladrovci ka thënë se as nuk e ka larguar dhe as nuk e ka injoruar Behgjet Pacollin, madje ka thënë se ai është i mirëpritur edhe në shtëpinë e tij.
Shkrimi i plotë i Lladrovcit në profilin e tij në Facebook:
“Pardje, në Drenas, në një ambient hotelier të rezervuar më parë, kisha një takim me arsimtarët e komunës së Drenasit. Në kohën e paraparë me agjendën time, kam shkuar aty dhe jam bashkuar me organizatorët e takimit. Me të arritur arsimtarët, disa prej tyre kërkuan që të vendosen nëpër vende, mirëpo pak para nesh aty kishte hyrë edhe z. Pacolli me udhëheqësit lokalë të AKR-së.
Organizatorët e takimit ma bënë me dije se pikërisht në atë pjesë ishte hapësira e paraparë dhe e rezervuar për takimin tim konsultativ me arsimtarët, mirëpo për shkak të keqardhjes dhe duke mos dashur të keqkuptohen, askush nuk ia kishte sqaruar këtë gjë z. Pacolli.
Duke u njohur me njëri-tjetrin, për të mos i lënë në pritje të gjatë arsimtarët, pas përshëndetjes me z. Pacolli, ia sqarova se aty e kishim paraparë takimin dhe se vendi ku ishin vendosur ishte hapësira e paraparë për t’u ulur. Normalisht, në mënyrën më miqësore insistova që t’ua rezervojë një hapësirë tjetër brenda lokalit, sepse ajo pjesë ishte e rezervuar më herët dhe si hapësirë ishte e planifikuar në përputhje me numrin e pjesëmarrësve.
Pacolli e pranoi miqësisht propozimin tim dhe në mënyrën më miqësore u përshëndetëm dhe vijuam me agjendën e paraparë. As nuk e kam larguar, as nuk e kam injoruar. Z. Pacolli është i mirëseardhur në Drenicë dhe në shtëpinë time, ashtu si çdo mik i imi dhe i shtëpisë sime.
Në fotot e dërguara nga një qytetar dëshmohet e gjithë e vërteta e kësaj ngjarjeje, e cila më tej mori kahje tjetër dhe u deformua sipas interesave të ngushta politike të të tjerëve. Nuk është as në karakterin tim, as të familjes sime të dëbohet mysafiri. Kjo tendencë për ta tjetërsuar vlerën themelore të traditës sonë, në këtë rast kundër meje nga dashakeqës lokalë, nuk mund as ta zbehë personalitetin tim dhe nuk mund as ta zvogëlojë subjektin tim politik”.