Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka paralajmëruar padi ndaj deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka.
Lladrovci me anë të një postimi në Facebook e ka quajtur Zekën gënjeshtar dhe shpifës.
Deputeti Zeka mbrëmë në një emision televiziv ka dhënë arsyet e tij për ardhjen e Lladrovcit në krye të komunës së Drenasit.
Sipas tij ai ka arritur të kandidojë për kryetar të komunës duke e shantazhuar tashmë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Ne po publikojmë postimin e Lladrovcit në Facebook pa asnjë ndërhyrje:
Përgjigje Milaim Zekës: Deri kur gazetarucat dhe ish udbasht do të vazhdojnë punën e dreqit
Nuk po i publikoni ato që pretendoni, sepse nuk ekzistojnë, as çanta, as incizime as letra denoncuese. Nuk ekzistojnë, ato janë pjesë e imagjinatës tuaj të sëmurë, të metodës shpif, shpif se diçka mbetet.
Boll Milaim Zeka. Boll. Boll shpife. Edhe sa rrena do të thuash para mediave gjoja se po i thua për herë të parë. Deri kur kështu o gazetaruc?!!
Dhjetëra lajme të rreme në tri fushatat e kaluara i keni promovuar si të vërteta, prej të cilave nuk doli asgjë. Asgjë nuk doli me gjithë paralajmërimet e juaja të subvencionuara. Sepse, ju vetëm shpifni.
Në tri fushata, janë paralajmëruar çanta të zeza me dokumente kompromituese, ishin paralajmëruar video incizime, ishin paralajmëruar letra sekrete e letra denoncimi, por kurrë asnjë herë, nuk i publikuat.
Pse nuk i publikuat deri tash për ato që pretendoni se ekzistojnë, dhe pretendoni të implikoni emrin tim, familjes time dhe udhëheqësit e shtetit.
Nuk mund të publikoni sepse ato që pretendoni, nuk ekzistojnë, as çanta, as incizime as letra denoncuese. Nuk ekzistojnë, ato janë pjesë e imagjinatës tuaj të sëmurë, të metodës shpif, shpif se diçka mbetet.
Milaim Zeka, të kam thënë edhe më herët, ti je një rrenc, je një shpifës. Ti e ndot ambientin e demokracisë me përrallat tua të sëmura që vetëm udbasht dinë t’i përgatisin e promovojnë.
Habitem nga mediat që të japin hapësirë për ta ndotë ambientin me shpifjet tua.
Deri kur gazetarucat dhe ish udbasht do të vazhdojnë punën e dreqit.
Unë po e them jo për herë të parë, me emër:
Milaim Zeka, ti je një rrenc dhe për shpifjet tua do të ushtroj padi