Lladrovci: Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët

Prishtinë | 02 Kor 2026 | 19:32 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke deklaruar se vendimi i vetëm i drejtë është lirimi i tyre.

Në një postim në rrjetet sociale, Lladrovci ka shprehur mbështetje për ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke thënë se ata do të dalin fitimtarë nga “beteja e fundit”.

“Vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët! Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhën, i presim fitimtarë nga beteja e fundit për Republikën e Kosovës dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka vlerësuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se besimi në aleatët ndërkombëtarë dhe drejtësinë ka qenë i plotë.

“Betejat në frontin e luftës u fituan me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve, bashkë me aleatët, fitoren diplomatike me mbi 120 njohje, i arritëm bashkë me aleatët, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e fituam të drejtën tonë për shtet, bashkë me drejtësinë ndërkombëtare, andaj edhe besimi ndaj aleatëve dhe drejtësisë ndërkombëtare ishte i pakufishëm”, është shprehur ai.

Lladrovci ka shtuar se ish-udhëheqësit e UÇK-së po zhvillojnë “betejën e fundit” për Republikën e Kosovës dhe pastërtinë e luftës çlirimtare.

“Jemi me fat se kemi liderë të tillë, heronj të luftës dhe paqes, i presim fitimtarë, i presim të lirë, në Kosovën e lirë, të lirë e krenar!”, ka deklaruar ai.

Duke komentuar shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit nga maji në shtator, Lladrovci tha se kjo është tregues se vendimi i drejtë duhet të jetë lirimi i tyre.

“Shtyrja e afatit të vendimit të gjyqit nga maji e korriku në shtator për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, është argument se vetëm vendimi lirues është i drejtë për çlirimtarët!”, ka shtuar Lladrovci.

Të ngjashme