Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka paralajmëruar se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet shumë shpejt.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lluka tha se që prej vitit 2015 kur janë caktuar anëtarët e bordit dhe menaxhmentit nuk ka pasur ndonjë lëvizje për funksionalizimin e këtij aeroporti.
Por ai tha se do të themelohet komisioni për aktivizimin e aeroportit dhe brenda një afati të shkurtër do të aktivizohet ky aset.
Lluka ka theksuar se menaxhmenti nuk ka gjetur përkrahje nga Qeveria për funksionimin e tij, ani pse janë shpenzuar rreth 450 000 euro për rroga në vit.
Postimi i plotë i ministrit Lluka në Facebook:
“Në vitin 2012, aeroporti i Gjakovës u transferua nga Ministria e Brendshme e Italisë tek Qeveria e Kosovës, me ndërmjetësim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Pas shumë sfidave, në vitin 2015 u themelua Ndërmarrja Publike Aeroporti i Gjakovës e cila është nën Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Që nga ai moment, përpos caktimit të anëtarëve të bordit dhe menaxhmentit, nuk ka ndodhur asnjë lëvizje për aktivizim të aeroportit! Përpjekjet nga menaxhmenti nuk kanë gjetur përkrahjen e Qeverisë, përderi sa janë shpenzuar rreth 450,000 EUR në vit për rroga!
Këtë javë kemi filluar disa iniciativa që të lëvizimin në drejtimin e duhur! Janë disa variante të mundshme, dhe do të sigurohemi që të realizohet varianti më profitabil për vendin, si në aktivitet ekonomik, ashtu edhe në gjenerim të vendeve të punës.
Shumë shpejtë do të themelohet komisioni për aktivizimin e aeroportit, ku secili do të merr përgjegjësitë e veta, duke shpresuar që brenda një afati relativisht të shkurtur kohor, të aktivizojmë këtë aset kombëtar me vlerë të madhe.
Sa për informatë:
Aeroportet në përgjithësi, në bashkëpunim me Qeverinë, aplikojnë disa tarifa për çdo udhëtar, ku në rastin e Kosovës shkon deri në 35 EUR.
Ka raste kur Qeveritë heqin dorë nga pjesa e vet për të stimuluar më tepër fluturime, pasi që shohin interes tek turizmi dhe jo tek fluturimet.
Ka edhe raste tjera më ekstreme, siç është ajo e Qeverisë së Maqedonisë, e cila subvencionon çdo ulëse të aeroplanit me 9 EUR për të tërhequr fluturime drejtë Shkupit. Pra jo vetëm që nuk merr pjesë në tarifa, por edhe i subvencionon më tej. Kjo e fundit ndodhë pasi që Qeveria e ka llogaritur që përfitimi nga vizitorët është shumë më i madh.
Çdo udhëtar llogaritet që shpenzon së pagu 150 EUR gjatë një udhëtimi, duke rritur aktivitet ekonomik për atë vlerë për bizneset vendore (Hotele, Taksi, Ushqim, Imazhi i Shtetit, etj.).
Unë mendoj që rasti i Gjakovës është perfekt për ta përdorur për aviokompanitë e lira (low cost airlines) pasi që Aeroporti i Prishtinës ka tarifa të larta për ta (që vijnë si rezultat edhe i politikave të Qeverisë). Për më tepër, mund të pëdoret gjithashtu për shkollim të aviacionit!
Të pasurit një aeroport alternativ është interes kombëtar dhe nuk duhet të qëndrojmë indiferent ndaj një pasurie të tillë!”.