Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka premtuar kushte më të mira për investitorë në Kosovë, gjersa ka qëndruar për vizitë në kompaninë Air Energy, në Kamenicë, raporton Ekonomia Online.
“Besoj që në shtator do të fillojë me prodhimin e energjisë, ku futet në rrjetin e Kosovës, kjo është absolutisht e rëndësishme për ne dhe për arsye se duhet t’i takojmë ato, t’i përmbushim ato kritere që kemi ndaj Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian për energji të ripërtritshme”.
“Ne biseduam edhe për potencialin e për zgjerimin e këtij investimi. Investitori ka interes, sepse është një investitor i madh që ka investuar mbi 1 mijë megavat në energji të ripërtritshme në vende të ndryshme të botës, që t’i zgjerojë këto licenca edhe në Kosovë. Jemi duke shikuar edhe mundësinë që t’i zgjerojmë këto turbina me erë dhe jo vetëm këto që do të instalohen në Kamenicë “, tha Lluka.
Më tutje, kreu i MZHE-së ka bërë të ditur se deri në fund të vitit pritet që në Kosovë të prodhohen 100 megavat energji me erë.
“Energji me erë saktësisht janë dhënë diku 150 megavat licenca dhe ato janë edhe në vendet e tjera të Kosovës dhe normalisht që investitori në momentin që e merr një licencë i ka rreth 2 vjet kohë për ta bërë investimin. Jemi duke shikuar që këtë kohë ta zvogëlojmë pak dhe besoj që me këto dy bashkëpunime mes investitorit dhe Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë tash e tutje do të shohim më tepër investime. Në fund të këtij viti, ne presim që të kemi funksionale diku rreth 80 megavat energji me erë”, deklaroi Lluka.
Në anën tjetër, investitori nga Turqia, Tuncer Baltaci, tha se, nëse qeveria e Kosovës u krijon investitorëve kushte, ashtu siç premtoi ministri, do të investojnë edhe më tej këtë projekt.
“Projekti për instalimin e turbinave, që do të prodhojnë energji elektrike, ka filluar në vitin 2018 ndërsa muaj më parë është bërë edhe përurimi i tyre. Nëntë turbinat e vendosura në fshatin Kikë të Kamenicës pritet të fillojnë me gjenerimin e energjisë në shtator të këtij viti”, tha Baltaci, raporton Ekonomia Online.