“Forum 2015” ka organizuar tryezën “Çështjet që e frenojnë zhvillimin në Kosovë”, në të cilën u shpalosën problemet në ekonomi, shëndetësi dhe arsim në Kosovë, si shtyllat kryesore për zhvillimin e një shoqërie.
Luan Shllaku tha se kanë zgjedhur tre sektorët për të cilët mendojnë se janë më të rëndësishmit për një shoqëri, por që kanë mbetur në bisht të zhvillimeve reformuese.
“Sot kemi zgjedhur të flasim për ekonomi, arsim dhe shëndetësi. Dhe do të flasim për to në mënyrë që të gjejmë se pse akoma mbeten në bisht të zhvillimeve reformuese. Sektorët ma të rëndësishëm dhe vital i kemi lënë anash dhe sa herë që shtet nuk kujdeset për këta sektorë, ata gjejnë rrugë alternative për të shkuar përpara që në një moment do ta ngufasin zhvillimin e këtyre sektorëve”.
Sa i përket arsimit u tha se secili nxënës duhet siguruar një shkollim efikas dhe të qëndrueshëm në funksion të ekonomisë dhe tregut të punës, raporton Ekonomia Online.
Gjendja në shëndetësinë kosovare u vlerësua mbetet kritike dhe se niveli i ulët i zhvillimit të sektorit të shëndetësisë reflektohet në rezultate alarmante për sa i përket shëndetit publik në Kosovë.
Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, tha se do të fokusohen te prodhimi dhe tërheqja e investimeve të huaja që të nxitet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.
“Unë besoj që para ekonomisë vjen arsimi, sepse pas arsimit vjen gjithçka. Për shkak se kemi mungesë të kuadrove të kualifikuara. Investimet e huaja në Kosovë dhe gjysma e investimeve janë në ndërtimtari, që nuk mundësojnë punësime të qëndrueshme. Ne në Kosovë edhe ato investime që vijnë nga investimet publike që bëhen nuk gjenerojnë vende gjithashtu stabile pune”, tha ai.
“Vetëm 10 për qind të investimeve shkojnë në prodhim dhe kjo duhet të ndryshohet. Ne duhet të fokusohemi në prodhim, sepse kështu zëvendësojmë importin dhe rrisim eksportin”.
“Në Kosovë ato kompani që i kemi si të huaja kanë ardhur kryesisht përmes qeverisë. Për mua këto kompani nuk kanë shumë efekt pozitiv. Efekt pozitiv për mua janë ato që prodhojnë që transferojnë edhe njohuri tek ne”.
Lluka mori si shembull dhe tregoi se janë në përgatitje një projekt propozim për një kompani ndërkombëtare. “Kompania ‘Diga Factory’ prodhon bateri dhe pronari i saj e ka shpallur një interes për të ndërtuar një fabrikë në Evropë dhe ka futur në garë të gjitha shtetet për të tërhequr këtë investim”.
“6 miliardë qarkullim dhe 5000 vende të punës dhe efekti është që kjo qon në hapjen e shumë kompanive që do të hapen për shërbime. Unë nuk kam mundur që të jem indiferent dhe kam përgatitur një projekt-propozim për ta. Ajo që kam vështirë ta bind është se numri i punëtorëve që do të ofrohet apo kërkohet ne nuk kemi staf të kualifikuar për këtë”, shtoi kreu i MZhE-së.
Besa Shahini prezantoi raportin për arsimin në Kosovë. Ajo tha se ky sektor është në një krizë të thellë. Sipas saj janë tre faktorë që kanë ndikuar në moszhvillimin e këtij sektori: buxheti i vogël, keq-planifikimi dhe faktori historik.
“Janë tre faktor që na kanë sjellë këtu, pra është faktori historik që ka pasur krizë sistemi. Përcaktimi i buxhetit që është shumë i ulët dhe keq-planifikimi këto na kanë sjellë në pikë krize. Është një krizë e thellë e sistemit të arsimit parauniversitar. Pra sistemi po i dështon të gjithë. Nxënësit pasi ta përfundojnë shkollimin fillor shkojnë në shkolla profesionale. Shkollat profesionale ka problem sepse nuk është i ndërlidhur mirë me tregun e punës. Kemi inflacion diplomash por jo domosdoshmëritë cilësi”.
Alban Hashani, prezantoi raportin për ekonomi dhe shëndetësi. Ai tha se edhe pse ekonomia e Kosovës viteve të fundit ka pasur rritje sistematike kjo nuk ka ndikuar në zhvillim të qëndrueshëm e cila ishte bazuar në dërgesa dhe investime private.
Gjatë prezantimit të raportit për shëndetësinë ai tha se sektorin i shëndetësisë ka nevojë për terapi urgjente, raporton EO.
“Për shkak të nivelit të ulët të sistemit shëndetësor popullsia e Kosovës ka një jetëgjatësi 5 vite më të vogël në nivel rajonal dhe 10 në atë global. Shpenzimet e qytetarëve për shëndetësi ndikojnë në 5 për qind në rritje të nivelit të varfërisë”.