Me ftesën e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka takuar bizneset vendore për t’i dëgjuar problemet dhe sfidat e tyre në mënyrë që të punohet më shumë rreth krijimit të klimës më të mirë të të bërit biznes.
Në këtë takim jo-formal, ministri Lluka shpalosi punën e ministrisë të cilin ai e drejton, projektet të cilat janë zhvilluar dhe ato të cilat janë në zhvillim e sipër në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe rreth zhvillimeve në ndërmarrjet publike.
Përfaqësuesit e bizneseve të cilët ishin të pranishëm e mirëpritën planin e zhvillimit të vendit në sektorët të cilët i mbulon ministri Lluka. Gjithashtu, e falënderuan për pjesëmarrjen duke thënë se takimet e tilla afrojnë më shumë komunitetin e biznesit me Qeverinë e Kosovës.
Lluka në anën tjetër tha se i mirëpret takimet e tilla dhe është i hapur për ide dhe sugjerime se si të përmirësohet infrastruktura biznesore.
Gjithashtu pjesë e këtij takimi ishte edhe zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Jan-Axel Voss.
Në fund drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, njoftoi ministrin Lluka rreth krijimit të një grupi për promovimin e investimeve gjermane në Kosovë ku dhe kërkoi përkrahjen e tij.
Në anën tjetër, ministri i MZhE-së, Valdrin Lluka, e përgëzoi për idenë dhe i tha se do ta përkrahë këtë ide duke përgatitur pako stimuluese për të tërhequr investimet në Kosovë.