Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se ky projektligj është hartuar në bazë të direktivave të BE-së.
Lluka shtoi se ky projektligj përcakton strukturën e efiçiencës së energjisë, planet komunale do inkorporohen në një plan kombëtar.
“Ky projektligj është hartuar duke marrë për bazë të gjitha direktivat e BE-së. Ky ligj sjell një numër të risive dhe rregullon disa detaje siç janë synimet e BE-së në përputhje me ligjet e BE-së, sa i përket efiçiencës së energjisë, përcakton strukturën për efiçiencën e energjisë, planet komunale do të inkorporohen në një plan kombëtar, përcakton palët e obliguara në sektorin privat. Ky projektligj është hartuar me ndihmën e zyrës së BE-së në Kosovë dhe janë kontaktuar të gjithë akterët për të dhënë kontributin për këtë projektligj”.
Ai shtoi se Kosova do të përfitojë 10 milionë euro nga Komisioni Evropian në formë granti dhe se Banka Botërore është zotuar të japë fond prej 5 milionë dollarë dhe, sipas tij, ka interesim të madh të donatorëve, raporton Ekonomia Online.
“Me këtë projektligj Kosova do të përfitojë 10 milionë euro nga Komisoni Evropian në formë granti, kemi një zotim nga Banka Botërore 5 milionë dollarë një fond, kemi biseduar me donatorë të tjera, interesimi është i madh që të japin fond për efiçiencën e energjisë”.
Hykmete Bajrami, nga LDK-ja, ka pyetur a ka marrë MZhE-ja aprovim nga Ministria e Financave për projektligjin që përfshin efiçiencën e energjisë.
“E para, dua të di rreth financimit të fondit, cilat janë burimet, cila është kostoja buxhetore dhe është e paraparë me kornizën financiare afatmesme, a keni marrë aprovim nga Ministria e Financave për këtë”.
“Si do e zgjidhim problemin e 70% të shpenzimit të energjisë në ekonomitë familjare, a parashihet që në planin kombëtar të ketë fonde”.
Ministri Lluka tha se Buxheti i Kosovës do të ndajë 1 milionë euro për 3 vitet e ardhshme, raporton EO.
“Në fondin për efiçiencën e kemi marrë model fondin për garanci të kredive. Buxheti i Kosovës ndan 1 milionë euro për 3 vitet e ardhshme që do të ndahen nga buxheti i Kosovës dhe kontributet e qeverisë së Kosovë. Kjo ka një impakt buxhetor se në çdo tender publik t’i mbetet efiçiencës së energjisë”.
Ndërsa Mimoza Kusari-Lila, nga LDK-ja, tha se ka vonesa në implementimin e strategjisë për renovimin e ndërtesave.
“Ka vonesa që asociohen në projektligj, që janë afatplanet e komunave, ka vonesa. Strategjia për renovimin e ndërtesave është një vonesë tjetër, a e keni gati si ministri, si doni me i shty këto afate në kohën që merr projektligji në dy lexime në Kuvend”.
Ajo tha se ligji për efiçiencë për sasi të energjisë së ripërtëritshme do mbesin jofunksionale nëse nuk ka zbatim të marrëveshjes së energjisë me Serbinë.
“Ligji për efiçiencë për kuotat për sasi të energjisë së ripërtëritshme kanë me mbetë jofunksionale nëse nuk e kemi një zbatim të mirëfilltë të marrëveshjeve të energjisë me Serbinë”.
Por Lluka tha se ligji për efiçiencë nuk e rregullon pjesën e energjisë së ripërtëritshme.
“Ligji për efiçiencë nuk e rregullon pjesën e energjisë së ripërtëritshme, strategjia e ndërtimeve e parasheh që jemi duke marrë masa, rreth 30 milionë euro të Bankës Botërore janë duke u futë, janë 4 komuna që e ndihmojnë në këtë aspekt, kjo nuk ka të bëjë vetëm me izolimin, efiçienca është ndryshimi i kalldrasë në diçka tjetër, pastaj ndërrimi i dyerëve, dritareve etj”.