Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, ka reaguar për me replikat e shumta të ngritura në lidhje me vendimin e marrë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës mbi verifikimin e aplikimeve nëpërmjet telefonit të çdo votuesi të deklaruar në Diasporë.
Përmes një komunikate për media, LEASH thotë se respekton çdo vendim të marrë nga institucionet dhe presim që KQZ të jetë i qartë në çdo udhëzim në lidhje me procedurat e vendimet e dala prej tij, transparent në këtë proces zgjedhor të Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë të datës 14 Shkurt 2021, si dhe të shohë me përgjegjësi dhe seriozitet çdo verifikim të çdo aplikanti.
LEASH bën thirrje bashkatdhetarëve në diasporë të jenë të vëmendshëm dhe të përpiktë në përmbushjen e kërkesave të KQZ në mënyrë që vota e tyre të mos shkojë dëm.
Lobi Euro-Atlantik Shqiptar thekson se është i gatshëm dhe mirëpret çdo bashkëpunim për përmirësime të ligjit zgjedhor për sa i përket votës së diasporës, me synim thjeshtimin e procedurave zgjedhore, çështje që do ndiqet e për të cilën do të punohet gjatë legjislaturës së ardhshme.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën ka reaguar pas disa lajmeve nëpër rrjete sociale se mërgimtarët që po aplikojnë nga jashtë vendit po kontaktohen nga ky institucion përmes numrave të fshehur të telefonit.
KQZ ka sqaruar se thirrjet bëhet me numra që kanë prefiksin e Republikës së Kosovës, +383 dhe se aplikuesve u shfaqet numri.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon të gjithë aplikuesit që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë vendit se ka filluar procesin e verifikimit të tyre duke i kontaktuar përmes telefonit.
KQZ po kontakton aplikuesit përmes telefonit dhe nga rreth 2000 persona të kontaktuar, në thirrjet e para të realizuara, mbi 75% e aplikuesve janë lajmëruar në telefon dhe janë konfirmuar aplikimet e tyre.