Dy drejtues të automjeteve Mercedes-AMG kanë paditur kompaninë gjermane, duke pretenduar se logoja metalike AMG në sediljen e shoferit nxehej aq shumë nga dielli sa u shkaktonte djegie në trup.
Sipas dokumenteve të depozituara në një gjykatë në Kaliforni, Gabriel Lahijani dhe Karendeep “Karina” Bath pretendojnë se sediljet e përparme të disa modeleve AMG kanë një defekt në dizajn, pasi logoja e ngritur metalike mund të jetë në kontakt me shpinën, qafën ose shpatullën e personit që ulet në sedilje.
Lahijani, banues në Los Angeles, kishte marrë me qira një Mercedes-AMG E-Class 2026. Ai pretendon se më 31 maj, pasi hyri në automjet i veshur me një bluzë pa mëngë, pësoi djegie të shkallës së dytë në shpinë.
Sipas padisë, një dermatolog e dokumentoi dëmtimin si “AMG inscribed”, duke e përshkruar atë si djegie të shkallës së parë dhe të dytë.
Rreth gjashtë javë më vonë, edhe Bath pretendoi se pësoi djegie të ngjashme. Ajo kishte parkuar Mercedes-AMG-në e saj në Los Angeles dhe, kur u kthye në automjet e u ul në sediljen e shoferit, shpatulla e saj preku logon metalike.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ndjeu menjëherë një djegie, ndërsa në ditët në vijim në lëkurën e saj u shfaq një shenjë në formën e logos AMG, e cila u errësua dhe u bë më e dukshme, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Paditësit kërkojnë që Mercedes t’i kompensojë për shpenzimet mjekësore, dhimbjet, vuajtjet dhe dëmin emocional, nëse këto vërtetohen gjatë procesit gjyqësor.
Ata kërkojnë gjithashtu që kompania të mbulojë kostot për heqjen e logos AMG nga automjetet e pronarëve të tjerë që mund të preken nga i njëjti problem.